Nis fushata e korrje-shirjeve në Drenas, rendimenti pritet deri në 4.5 tonë grurë për hektar


Në Komunën e Drenasit ka nisur fushata e korrje-shirjeve për vitin 2026, një proces i rëndësishëm për fermerët dhe prodhimin vendor të grurit.
Me rastin e fillimit të kësaj fushate, drejtoresha e Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Drenasit, Donika Prenku, së bashku me Komisionin Komunal për korrje-shirje, ka vizituar fermerët në terren për të përcjellë nga afër fillimin e procesit dhe zhvillimin e punimeve.
Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, korrje-shirjet kanë filluar në disa lokalitete të komunës dhe pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, në varësi të kushteve atmosferike dhe gatishmërisë së fermerëve.
Nga vlerësimet fillestare në terren, rendimenti mesatar i kulturave bujqësore pritet të jetë rreth 4,000 deri në 4,500 kilogramë për hektar.
Drejtoria për Bujqësi, përmes Komisionit Komunal për korrje-shirje, ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e procesit, me qëllim që fushata të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa për fermerët.
Komuna e Drenasit ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë, duke synuar fuqizimin e prodhimit vendor dhe mbarëvajtjen e proceseve bujqësore. /Telegrafi/



































