LAJMI I FUNDIT:

Nimoni nga Ministria e Drejtësisë: Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk është hakmarrës

Nimoni nga Ministria e Drejtësisë: Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk është hakmarrës

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke i hapur kështu rrugë formimit të grupeve punuese në Ministrinë e Drejtësisë.

Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme synohet që brenda vitit të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.


Me hartimin e ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, mundësohet realizimi i konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues.

Shefi i Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni në një intervistë për Telegrafin ka thënë se për këtë koncept-dokument është punuar qysh në mandatin e parë të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku në krye të MD-së, ajo ishte për rreth 50 ditë.

“Pastaj, tash kur e ka filluar mandatin sërish pothuajse gjithçka ka qenë e gatshme me disa ndryshime të vogla, dhe është aprovuar tutje për aprovim në Qeverinë e Kosovës. Dhe, siç jeni në dijeni ajo tashmë është aprovuar në Qeverinë e Kosovës, dhe presim tutje qe të bëjmë grupin punues dhe të fillojmë me procedurat tutje”, ka deklaruar ai.

Nimoni ka thënë se  “ajo çfarë përmban në këtë koncept-dokument është një skanim i problemeve i situatës, që ndërlidhet me problemet me konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme, sepse ne kemi një bazë aktuale ligjore mirëpo e cila është jo efikase në drejtim të procedimit me efikas të kësaj pasurie”.

Ai bëri të ditur së koncept-dokument parasheh tri opsione.

“Opsioni i parë është status quo i cili parasheh se a duhet të qëndrojmë kështu siç jemi, dhe nëse qëndrojmë kështu siç jemi është situatë e përshtatshme apo jo. Opsioni i dytë, është mundësia e përmirësimit të situatës pa ndryshime legjislative, një gjë e cila është vështirë e arritshme. Dhe, opsioni i tretë është ndryshimet përmes ndryshimeve ligjore. Siç duket ky opsioni i tretë ka qenë më i pranueshëm për grupin punues dhe ka qenë në përbërje nga përfaqësues të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ekspertë të jashtëm, pastaj përfaqësues të institucioneve relevante që ndërlidhen me fushën e konfiskimit të pasurisë”, theksoi ai.

Gjatë intervistës, Nimoni tha se me aprovimin e koncept-dokumentit në Qeveri, është hapur rruga për formimin e grupit punues brenda Ministrisë së Drejtësisë.

“Ne në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë këtë çështje e kemi një ndër prioritetet tona, dhe së shpejti do ta themelojmë grupin punues për këtë çështje. Do të punohet me intensitet për me finalizu edhe punën e këtij koncept-dokumenti. Pastaj, ne po konsiderojmë se brenda viti ta finalizojmë këtë projektligj dhe ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës. Pastaj, varësisht nga puna dhe afatet të cilat parashihen të jenë edhe në këto ndryshime ligjore që do të ndodhin do të pasojmë me faza tjera, të kompletimit dhe aprovimit të tij në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Këshilltari i Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni tha se ka pasur disa kundërshtime rreth këtij koncept-dokumenti, por që sipas tij, këto janë të pranueshme pasi që ka dilema për këtë.

“Ky është vetëm një koncept-dokument që detekton problemet kryesore që ndërlidhen me konfiskim. Gjithashtu, shtron disa opsione se si duhet ndryshuar kjo situatë, realisht është normale të kemi dilema sepse është një koncept-dokument dhe është një temë mjaft e ndjeshme të ne sot. Pastaj, një dilemë tjetër është se mos po cenohet siguria juridike e qytetarëve të Kosovës. Madje, kishte edhe disa hezitime se a mundemi me këtë sistem aktual të gjyqësorëve dhe prokurorëve të procedojmë me këtë ndryshim, apo duhet të ketë Vetting paraprakisht për me ardh deri të aprovimi i kësaj nisme ligjore”, shtoi tutje ai.

Nimoni thotë se me këtë ligj synojnë të stopojnë korrupsionin dhe të mundësohet zhvillimi i Kosovës.

“Deri tani për me realizu konfiskimin e një pasurie të pajustifikueshme është dashtë të jetë një aktgjykim dënues në procedurë penale, e cila ka pamundësuar proceduarat për konfiskimin e pasurisë. Me bazën civile mendojmë që do ta evitojmë zvarritjen dhe ne kemi mundësi të procedojmë menjëherë pa pasur nevojë që të presim një aktgjykim dënues për vite me radhë. Dhe, ai ligj që është në fuqi nëse nuk gaboj është aplikuar vetëm një herë, dhe kjo tregon më së miri jo zbatueshmerinë e këtij ligji”, pohoi ai.

Nimoni sqaroi se me këtë ligj nuk cenohet siguria juridike e qytetarëve.

“Ky ligj nuk do të cenojë sigurinë juridike të qytetarëve. Kjo ta ketë për objekt konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe assesi qytetarin. Nuk është ligj hakmarrës, nuk ka qëllime hakmarrëse. Ne do të ftojmë në grupin punues të gjithë që kanë shfaqur dilema, dhe do ta kompletojmë një ligj i cili do të jetë efikas”, potencoi ai.

Sa i përket ligjit për Vetting, Nimoni tha se kjo gjithashtu është ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.

“Ne sapo kemi ardhur kemi filluar me punu në këtë drejtim, është zhvillu një punë brenda nga stafi profesional, dhe tashmë kemi një analizë për Vettingun, prej 13 faqe, dhe kjo analizë mundohet të heq dilemat dhe të tregojë se si do të vazhdojë puna. Dilema ka qenë a duhet ndryshime kushtetuese për ta bërë një Vetting. Tashmë e kemi një bazë të mirë, brenda kësaj jave do ta formalizojmë me vendim grupin punues, sepse ne kemi kontakuar edhe akterë tjerë, shoqërinë civile. Deri në fund të javës do të kemi emrat e përfaqësuesve të shoqërisë civile në këtë grup”, tha ai.

Në fund të intervistës, Nimoni tha se me Vetting synojnë që në Kosovë të ketë një gjyqësor me integritet profesional dhe gjithashtu efikas, e po ashtu të rikthehet besimi i qytetarëve të sistemi i drejtësisë. /Telegrafi/