Nikola Vujoviq ndalohet nga Policia e Kosovës pas heqjes së shtetësisë

Nikolla Vujoviq është ndaluar nga Policia e Kosovës pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’i hequr shtetësinë, me arsyetimin se ai përbën rrezik për sigurinë kombëtare.
Kjo është bërë e ditur nga burimet e Televizionit Dukagjini, teksa thuhet se Vujoviq do të mbahet në Qendrën e përkohshme të qëndrimit në Vranidoll, deri në momentin kur të krijohen kushtet për ekstradimin e tij, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve, Vujoviq është i rekrutuar nga institucionet e sigurisë së Serbisë, dhe ka vepruar në kundërshtim me interesat e shtetit të Kosovës.
Ndërsa, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se autoritetet kosovare i kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një ish-polic në pension në pikat kufitare, një javë pasi Serbia e arrestoi një ish-polic të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sot ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se e ka privuar nga shtetësia një shtetas të Kosovës nga komuniteti serb për “cenim të sigurisë kombëtare”, të vendit.
Sveçla nuk tregoi nëse Nikolla Vujoviq – pjesëtarë i policisë serbe – është arrestuar dhe nuk dha hollësi të tjera.
Ndryshe, Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën se e ka privuar nga shtetësia një shtetas të Kosovës, duke thënë se ai është i rekrutuar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë.
Në një njoftim në Facebook, Sveçla tha se Nikolla Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.
“Në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”, tha Sveçla.
Sveçla tha se u bazua në ligjin për Shtetësinë aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, kur mori vendimin për t’ia hequr shtetësinë Vujoviqit.
“Nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Kosovës nga kushdo qoftë. Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj”, tha ai.
Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës, kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër.


















































