LAJMI I FUNDIT:

Ngritja e çmimit të naftës dhe paniku për mungesë të miellit e vajit ushqimor në tregun e Kosovës – ngjarjet kryesore e javës në ekonomi

Ngritja e çmimit të naftës dhe paniku për mungesë të miellit e vajit ushqimor në tregun e Kosovës – ngjarjet kryesore e javës në ekonomi

Ngritja e çmimit të derivateve të naftës, paniku për mungesë të miellit dhe vajit ushqimor në tregun e Kosovës, ishin temat kryesore të javës në ekonomi.

Një valë e re e çmimeve nga tregjet e huaja ka goditur tregun e Kosovës, për shkak të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, që filloi më 24 shkurt të këtij viti.

Edhe pse gjatë javës, në tregjet botërore çmimi i derivateve të naftës kishte filluar të binte, në vendin tonë ka ndodhur e kundërta, ku për çdo ditë, për një litër vlera është ngritur nga 8 deri në 10 cent.


Ditë më parë, naftëtarët kanë paralajmëruar se çmimi i naftës për një litër do të arrin në 2 euro, shkruan Telegrafi.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari gjatë një konference për medie ka thënë se nuk ka bllokadë të furnizimit me naftë në tregun e Kosovës.

Hajdari gjithashtu ka theksuar se së bashku me Autoritetin e Konkurrencës janë duke i identifikuar marrëveshjet e tregtarëve, për manipulime të mundshme me produkte në treg.

“Ne nuk mund t’i kontrollojmë çmimet, por mund të marrim masa. Ne kemi marr masa të ndryshme, duke filluar nga nafta. Mund të këtë edhe devijime të çmimit në treg, ku tregtohen furnizohen ndoshta dje në Durrës, kurse sot caktojnë çmimin sipas bursës”, ka thënë Hajdari.

Marrëveshje të tregtarëve për manipulime të mundshme, Hajdari: Nuk ka bllokadë të furnizimit me naftë
Lexo po ashtu Marrëveshje të tregtarëve për manipulime të mundshme, Hajdari: Nuk ka bllokadë të furnizimit me naftë

Po ashtu, Albin Kurti ka thënë se sanksionet e vendosura karshi Rusisë kanë prekur çmimet e pothuajse secilit sektor.

Ai ka shtuar se kjo krizë po dikton rritjen e çmimit të naftës.

“Nëse në fund të vitit të kaluar ishte kriza energjetike që nxiti ngritjen e çmimeve, këtë vit është lufta në Ukrainë dhe përballja e perëndimit demokratik të bashkuar kundër Rusisë ajo që po dikton rritjen e çmimit të naftës. Rusia është një prej eksportuesve më të mëdhenj të gazit dhe naftës në tregun botëror”, ka theksuar Kurti.

Kurti: Sanksionet ndaj Rusisë kanë prekur çmimet e pothuajse secilit sektor, është kostoja e mbrojtjes së lirisë
Lexo po ashtu Kurti: Sanksionet ndaj Rusisë kanë prekur çmimet e pothuajse secilit sektor, është kostoja e mbrojtjes së lirisë

Njohësi i çështjeve të ekonomisë dhe ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj ka thënë për Telegrafin se kriza në Ukrainë ka krijuar panik te afaristët dhe importuesit e naftës në Kosovë.

“Realisht është kriza në Ukrainë ajo që ka krijuar një lloj paniku në tregjet e Kosovës dhe realisht afaristët tonë importuesit tonë të naftës po iu përshtaten rregullave të bursës. Ky çmim i bursës po reflektohet në mënyrë automatike në pikat shitëse dhe kjo rritje e çmimeve po e prek xhepin e qytetarëve. Qeveria e Kosovës ishte dashtë që në bashkëpunim me Shoqatën e Naftëtarëve dhe me importuesit e naftës të gjejnë zgjidhjet më të mira që do të ndikonin të kishim një çmim më të arsyeshëm për konsumatorët në Kosovë”, ka deklaruar Mulaj.

Ai ka shtuar se nëse ka ngritje të çmimit të naftës rrjedhimisht do të ketë edhe rritje të çmimit të prodhimeve të tjera dhe ndikon në koston e jetës të qytetarëve.

Çmimet e naftës vazhdojnë të ngriten – qytetarët thonë se do t'i përdorin veturat më rrallë
Lexo po ashtu Çmimet e naftës vazhdojnë të ngriten – qytetarët thonë se do t'i përdorin veturat më rrallë

Kosova ka mjaftueshëm miell dhe se kapacitetet prodhuese të mullisëve në vend është për 5.5 milionë banorë. Kështu ka thënë kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Ferzi duke shtuar se gjatë vitit të kaluar asnjë kilogram grurë nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia.

“Në Kosovë ka të instaluar mullinj të mjaftueshëm. Kapacitetet prodhuese në vend janë për 5.5 milionë banorë. Mullinjtë janë të kujdesshëm dhe kanë importuar në kohë të duhur sasitë e nevojshme prej jashtë. Importi i grurit në Kosovë ka qenë nga vendet e afërta dhe po potencoj se asnjë kilogram grurë apo miell nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia”, tha Ferizi gjatë një konference për medie.

Sipas tij, miell në Kosovë ka edhe për tre muaj të tjerë.

“Miell ka mjaftueshëm të prodhuar. Ka sasi të konsiderueshme edhe për tre muaj të tjerë. Në kohën e kërkesë së madhe, këto produkte nuk blihen në markete”, ka përfunduar ai.

Ka mjaftueshëm miell, Kosova nuk importonte nga Ukraina dhe Rusia
Lexo po ashtu Ka mjaftueshëm miell, Kosova nuk importonte nga Ukraina dhe Rusia

Gjatë javës është vërejtur një rritje enorme e çmimit të vajit ushqimor, kur një litër është shitur në rreth 4 euro.

Ndryshe, çmimi i vajit javëve të fundit ka qenë rreth 1.60 euro.

Nga 1.60 sa ishte, sot një litër vaj po shitet rreth 4 euro
Lexo po ashtu Nga 1.60 sa ishte, sot një litër vaj po shitet rreth 4 euro

Menjëherë pas kësaj, kryeministri Kurti ka thënë se çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë, duke shtuar se rritja e çmimeve është artificiale.

“Anë e mbanë qytetarët po na njoftojnë se çmimet janë nga 3.49 euro, e jo 3.5 euro. 3 euro e 50 cent do të ishte e rastësishme, por 3.49 euro nuk është e rastësishme kjo përputhje e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorit. Aktualisht çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë”, pati thënë Kurti.

Sipas tij, ka mjaftueshëm vaj në stoqe për rreth një muaj për konsum.

“U njoftuam se në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftoj për rreth një muaj për konsumin që ekziston në vend. Është lajm që tashmë ka vaj të mjaftueshëm. Gjatë këtij muaji do të punojmë që të gjejmë alternativa ta reja me shtetet mike”, ka theksuar ai.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se rritja e çmimit është tejkaluar nga domeni i kërkesës dhe ofertës. Ai a shtuar se duhet të publikohen sasitë e importuara të vajit në dy javët e fundit.

“Rritja e çmimit te vajit ushqimor, e ka tejkaluar domenin e përcaktimit të çmimit nga kërkesa dhe oferta. Duhet të publikohen sasitë e importuara në dy javët e fundit, mesatarja e sasive të importuara në tre muajt e fundit dhe çmimet e sasive të importuara. Kaq mjafton për të vlerësuar dhe identifikuar, çdo çrregullim të mundshëm”, ka thënë Rukiqi.

Pas raportimeve të fundit për rritjen enorme të çmimit të vajit kanë reaguar institucionet e vendit. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë të ditur se Inspektorati i Tregut, gjatë një aksioni ka mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë.

Ky aksion është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës. Depot janë mbyllur në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.

Rritja e çmimit të vajit, Inspektorati i Tregut mbyll dy depo të operatorëve ekonomikë
Lexo po ashtu Rritja e çmimit të vajit, Inspektorati i Tregut mbyll dy depo të operatorëve ekonomikë

Ndërsa, Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2021 në total janë importuar vaj luledielli i përpunuar rreth 17.7 milionë litra, derisa janë importuar edhe 5 milionë litra vaj luledielli i papërpunuar.

“Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit 2021, duke filluar 1.11 euro/cent në janar të 2021, e ka shënuar rritje në 1.44 euro/cent në dhjetor të vitit 2021, derisa taksat që paguan një litër vaj në import është TVSH-ja e reduktuar 8 për qind”, thuhet në njoftimin e Doganës.

“Derisa vajrat e papërpunuara nuk paguajnë asnjë taksë pasi konsiderohen lëndë e parë për prodhim. Derisa në vitin 2022 (periudha janar -shkurt dhe një pjesë e marsit) në Kosovë janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milion litra vaj luledielli i papërpunuar. Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit këtyre dy muajve nga 1.22 euro/cent deri në 1.45 euro/cent”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/