Ngërçi politik, Presidentja sot i dërgon komentet e saj në Kushtetuese
E para e shtetit, Vjosa Osmani sot pritet t’i dërgojë komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me bllokadën politike në vend, saktësisht rreth çështjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, pasi ditë më parë Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator.
Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë një ditë më parë tha se qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t'i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin.
“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator.
Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t'i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t'i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, është shprehur Kupina për Telegrafin.
Ndryshe, ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur, ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve, masë të përkohshme në rastin e parashtruar nga: Igor Simiq dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025.
Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata theksoi se - pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit - "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit".






























