Ethon Archer nuk është një emër i madh në futboll… të paktën jo ende. Por mënyra se si ai ka ecur deri tani, tregon se karriera e tij mund të bëhet një histori që do të përflitet gjatë.

Vetëm dy vite më parë, 23-vjeçari punonte si shofer shpërndarjeje për Amazon, ndërsa futbollin e luante vetëm “për shpirtin e tij” në ligat amatore.


Për të mbijetuar, kishte marrë edhe punë të tjera me kohë të pjesshme, madje shërbente si asistent në ndeshje futbolli. Futbolli nuk i siguronte jetesën, por ëndrra nuk i ishte shuar kurrë.

E gjitha ndryshoi kur performancat e tij në ligat e ulëta ranë në sytë e Chesterfield, një klub i League Two. Verën e kaluar ai nënshkroi aty dhe në sezonin e tij të parë arriti të tërheqë vëmendjen me statistika dhe lojë mbresëlënëse.

Ky progres i rrufeshëm i hapi rrugën një tjetër hapi gjigant: këtë verë nënshkroi kontratë profesionale me Luton Town, klub që deri para pak kohësh ishte pjesë e Ligës Premier dhe sot garon në League One.

Në moshën vetëm 23-vjeçare, Archer e ka përmbushur tashmë ëndrrën e tij të parë – të bëhet futbollist profesionist.

Por me ritmin që po ngjitet nga një kategori në tjetrën, gjithçka tregon se kjo është vetëm fillesa. Shumë shpejt, emri i tij mund të shfaqet në fushat më të mëdha të futbollit anglez. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app