Alergologu, Ylli Ahmetaj gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital ka folur mbi disa prej alergjive më pak të njohura.

Ai ka theksuar se shumë prej tyre duken të çuditshme për njerëzit, por janë të dokumentuara dhe testohen rregullisht në praktikën mjekësore.





Sipas Ahmetajt, molla është një nga alergjenët ushqimorë më të shprehur, edhe pse shumica e pacientëve nuk e presin këtë.

“Pacientët kur e dëgjojnë alergjinë ndaj mollës, shpesh duken të dyshimtë. Molla konsumohet gjerësisht dhe nuk përmendet shpesh si alergjen, por alergjia ndaj saj është reale dhe e testueshme”, shpjegon ai.

Ai shton se alergjitë ndaj frutave të tjera si pjeshka, dredhëza, frutat arrore, bostani dhe pjepri janë gjithashtu të zakonshme dhe përfshihen në panele të gjera testimi ushqimor.

Ahmetaj thekson se personat me alergji ndaj mollës shpesh kanë predispozitë për të zhvilluar alergji të kryqëzuara me polenet.

“Është e vërtetuar që ata që kanë alergji në fruta, kryesisht në mollë, kanë potencial për alergji të kryqëzuara me polene”, thotë ai.

Një tjetër alergji e veçantë që Ahmetaj përmend është ajo ndaj çajit të kamomilit, e cila vërehet kryesisht tek pacientët që kanë ndjeshmëri të lartë ndaj poleneve, sidomos polenit të kësaj bime.

Një trend i ri që po vihet re në praktikën klinike është rritja e alergjive ndaj temperaturave ekstreme.

“Pacientët që ekspozohen ndaj temperaturave të ulëta mund të shfaqin urtikari të përgjithshme – skuqje masive të lëkurës që shfaqen sapo dalin në të ftohtë”, sqaron Ahmetaj.

Sipas tij, ka raste ku pacientët kthehen nga plazhi dhe shfaqin ndryshime të dukshme në lëkurë menjëherë pas ekspozimit ndaj diellit.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com