“Nga lojtar i dobët, në gjyqtar ndërkombëtar” – Bekim Zogaj rrëfen për karrierën e tij

Në episodin e 60-të të podcastit “Arena e Yjeve”, gjyqtari ndërkombëtar Bekim Zogaj rrëfeu fillimet e tij në futboll dhe mënyrën e pazakontë se si përfundoi me bilbil në dorë. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
I lindur në Deçan dhe i rritur në Zvicër, Zogaj tregon se fillimisht ka qenë futbollist në ligat kantonale, por që shpesh reagonte ndaj padrejtësive brenda fushës. Pikërisht kjo ndjeshmëri ndaj drejtësisë, siç thotë ai vetë, e shtyu drejt rrugës që do t’i ndryshonte jetën.
“E kujtoj si sot sepse në Zvicër së pari kam qenë edhe futbollist nëpër ligat kantonale, por si lojtar kam qenë tepër i dobët sepse nuk e doja edhe sot nuk e dua të padrejtën kështu që kur merrte gjyqtari vendime e hapja gojën tepër shpesh, reagoja në mënyrë josportive”.
Ai kujton me humor se si shpesh i debatonte gjyqtarëve në fushë, duke besuar se i njihte më mirë rregullat.
“Mendja ime atëherë më thoshte se i interpretoj rregullat më mirë se gjyqtarët. Si fëmijë kam qenë tepër i interesuar për futbollin, dija statistika për shembull për futbollin botëror domethënë Kampionatet Botërore të viteve 86’ 90’ 94’ e po ashtu isha i interesuar edhe për rregullat e futbollit”.
“Por nuk e doja të padrejtën. Në Zvicër është kështu. Çdo klub aktiv, nëpër ligat rajonale që është i lajmëruar në Federatë duhet të paraqesë një gjyqtar. Domethënë, nëse një klub aktiv nuk ka gjyqtar atëherë paguan një dënim prej 2000 mijë frangash”.
“Nëse edhe në të dytin vit po ashtu nuk lajmëron gjyqtar, atëherë duhet me tërheq një ekip nga liga, aty ku merr pjesë”.
“Atëherë ishte edhe klubi im dhe kishte pak gjyqtarë prandaj kryetari i klubit më tha pasi po i di dhe po i njeh rregullat e futbollit, pse nuk po starton si gjyqtar fillestar. Më pëlqeu, i referoja 10-11 vjeçarët fillimisht dhe merrja komplimente pas ndeshjes”, përfundoi ai.
Episodin e plotë me Bekim Zogajn mund ta ndiqni të shtunën në ora 17:10 në RTV Dukagjini, si dhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit. /Telegrafi/




















































