Nga kaosi në oazë: Qytetet që lodhin dhe ato që qetësojnë

Pushimet nuk varen vetëm nga vendi ku shkojmë, por edhe nga balanca mes kulturës, rehatisë dhe hapësirës për të marrë frymë
Udhëtimet nuk janë gjithmonë sinonim i relaksit. Përtej pamjeve të bukura dhe kulturës së pasur, disa destinacione të njohura fshehin një realitet krejt tjetër: turmat e pafundme, zhurma, trafiku dhe kostoja e lartë e jetesës shpesh i shndërrojnë pushimet në një përvojë të lodhshme. Studime të reja tregojnë se pikërisht këta faktorë ndikojnë më shumë në nivelin e stresit sesa vetë distanca apo çmimi i udhëtimit.
Parisi, qyteti i dritave dhe romancës, është shembulli më i qartë i këtij fenomeni. Edhe pse ofron atraksione të mrekullueshme dhe kulturë të pasur, vizita shpesh kthehet në përvojë stresuese për shkak të mbipopullimit me turistë, duke e vështirësuar shijimin e qetë të monumenteve dhe atmosferës së tij unike, transmeton Telegrafi.
Parisi - qyteti i dritave, por edhe i stresit
Qyteti i artit, modës dhe kulturës, që përfshin gjithçka të imagjinueshme, shpesh përshkruhet edhe si vendi ku “edhe buzëqeshja kushton”.
Një studim i fundit i kompanisë Dipndive, i cili analizoi 51 parametra të lidhur me jetën dhe turizmin në qytete të ndryshme të botës, ka marrë në shqyrtim faktorë si: nivelin e stresit, ndotjen, zhurmën, cilësinë e ajrit, kriminalitetin, trafikun dhe koston e jetesës.
Në krye të listës së destinacioneve më stresuese doli pikërisht Parisi, i cili çdo vit pret mbi 47,5 milionë turistë, në një hapësirë prej vetëm 105 km², dhjetë herë më e dendur se Nju Jorku.
Edhe pse Parisi mori vlerësime mesatare për klimën dhe sigurinë, numri tepër i madh i vizitorëve rezultoi vendimtar për t’i dhënë titullin e qytetit më stresues për turistët.
Të tjerët në listë: Hanoi dhe Shangai
Në vend të dytë u rendit Hanoi, kryeqyteti i Vietnamit, i njohur për nivelin shumë të lartë të lagështisë, gjë që e bën destinacion fizikisht të pakëndshëm për vizitorët. Shumë turistë ankohen për kombinimin e vapës së madhe dhe turmave të dendura.
Shangai, metropoli kinez që pret rreth 300 milionë vizitorë në vit, u rendit i treti. Me një densitet prej mbi 47.000 vizitorësh për km², ai u fut ndër 20 qytetet më stresuese edhe për shkak të nivelit të kriminalitetit dhe ngarkesës së lartë urbane.
Destinacionet më të qeta: Dubai, Mynih dhe Melburn
Nëse dëshironi qetësi, Dubai është zgjidhja më e mirë. Ai pret rreth 17,1 milionë turistë në vit, por falë planifikimit urban të zgjuar, turmat nuk ndihen. Dubai shquhet gjithashtu për shkallën shumë të ulët të kriminalitetit.
Në vend të dytë për qetësi renditet Mynihu në Gjermani, me nivel të ulët krimi, kushte të mira klimatike dhe fluks relativisht të moderuar turistësh.
Melburni në Australi ka densitetin më të ulët turistik në listë, vetëm 1.265 vizitorë për km². Klima e butë dhe lagështia e këndshme e ajrit e bëjnë një destinacion ideal për ata që duan të shijojnë atraksionet pa përjetuar turma të mëdha.
Çfarë na mëson ky studim?
Hulumtimi tregon se stresi gjatë udhëtimeve nuk lidhet vetëm me çmimin apo distancën, por shpesh me atmosferën e qytetit, dendësinë e turistëve dhe kushtet bazike të qëndrimit.
Parisi sot: kulturë, turizëm dhe pakënaqësi e banorëve
Parisi ofron pafund aktivitete kulturore e shoqërore, ndërsa ritmi i jetës është më i ngadalshëm se në disa kryeqytete të tjera evropiane.
Megjithatë, mbipopullimi turistik është kthyer në problem të dukshëm, sidomos në zonën e Montparnasse. Pas Lojërave Olimpike të vitit 2024, banorët u ankuan për humbjen e identitetit të lagjeve, rritjen e çmimeve dhe ngarkesën e madhe.
Grupi “Vivre Montmartre” i bëri thirrje komunës të marrë masa më të ashpra ndaj shndërrimit të apartamenteve në akomodim turistik. /Telegrafi/





















































