Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kërkimi për paqe në konfliktet e mëdha, rrallëherë ka qenë kaq i dëshpëruar dhe në dukje kaq i kotë. Në Gazë, bisedimet për armëpushim, marrëveshjet dhe pauzat zakonisht përfundojnë me lot. Në Ukrainë, lufta ka hyrë tashmë në vitin e saj të katërt, pa e parë fundin, pavarësisht afatit 50-ditor të ri të Donald Trumpit. Siria digjet sërish. Tmerret e Sudanit nuk ndalen kurrë. Vitin e kaluar, konfliktet ndërmjet shteteve arritën kulmin - 61 në 36 vende. Ishte numri më i lartë i regjistruar që nga viti 1946. Ky vit mund të jetë edhe më i keq.


Është e jashtëzakonshme shkalla e gjerë dhe brutaliteti i krimeve të luftës dhe mizorive të tjera në zonat e konflikteve. Civilët, si cak i qëllimshëm dhe i paligjshëm, terrorizimi i tyre, vrasja, gjymtimi dhe rrëmbimi i fëmijëve, si dhe përdorimi i urisë, dhunës seksuale, torturës dhe zhvendosjes së detyruar si mjete lufte, janë bërë pothuajse rutinë. Ishte tronditëse vrasja, në javën e kaluar, nga Izraeli, e fëmijëve që prisnin në radhë për ujë në Gazë - dyfish më tronditëse nga fakti se skenat e tilla janë bërë të zakonshme.

“Të bekuar janë paqebërësit”, ka thënë Shën Mateu, por sot, ndërmjetësit e paanshëm janë shumë të paktë. Sigurisht, që të gjithë do të pajtoheshin: vrasja dhe masakrimi i të pafajshmëve është moralisht i pajustifikueshëm. Atëherë, pse lejohet të vazhdojë në botë? Kjo pyetje e njëjtë thuhet me zë e me dhimbje nga prindërit e pikëlluar në Rafah, Kiev dhe Darfur, nga punonjës të ndihmës së OKB-së, nga foltoret, lokalet dhe parlamentet, në protestat në rrugë dhe në Glastënburi. Pse? Pse?

Mallkimi i relativizmit moral është një tregues. Faktikisht, jo të gjithë pajtohen. Ajo që për një grup njerëzish është absolutisht e pajustifikueshme moralisht, për një tjetër është e lejueshme apo e justifikueshme. Kjo ka qenë e vërtetë përgjatë gjithë historisë njerëzore. Por, bota e sotme, e ndarë gjeopolitikisht dhe ekonomikisht, është gjithashtu e ndarë në mënyrë etike dhe morale në një shkallë ndoshta të paprecedentë. Siç thotë shkrimtari amerikan David Brooks, mungon një “rend i përhershëm moral” me standarde të pranuara e të vëzhguara nga të gjithë.

Rënia e rendit ndërkombëtar, të bazuar në rregulla, pasqyron këtë krizë të rendit moral. Pa parime të pranuara universale, zgjidhja paqësore e konflikteve - qofshin ato të jashtme apo të brendshme - bëhet shumë problematike. “Nuk kemi një standard objektiv për të përcaktuar se cili qëndrim është i drejtë dhe cili i gabuar. Prandaj, debatet publike zgjasin pafund, me nivele gjithnjë më të larta zemërimi dhe polarizimi”, argumenton Brooks. Ajo që mbetet është vetëm detyrimi dhe manipulimi.

Asnjë individ nuk mishëron më mirë hutimin e relativizmit moral që përshkon jetën bashkëkohore, sesa Trumpi - mjeshtri i detyrimit dhe manipulimit. Ai beson, për shembull, se meriton çmimin Nobel për paqe për vitin 2025. Megjithatë, Trumpi, në bashkëpunim me Izraelin, bombardoi së fundmi Iranin dhe vrau civilë të shumtë. Në këndvështrimin e tij të turbullt moral, ky akt i paligjshëm agresioni ishte i justifikuar sepse, sipas tij, rivendosi paqen të cilën vetë ai sapo e kishte shkatërruar.

Në një botë të lidhur me luftën, çmimi i vjetër i paqes i Alfred Nobelit duket gjithnjë e më anakronik - dhe i politizuar. Barack Obama e fitoi atë në vitin 2009 - për asgjë. Eh, sikur Trumpi të mos bënte asgjë për katër vitet e ardhshme! Edhe më keq, ai është propozuar për çmim nga Benjamin Netanyahu i Izraelit - armiku i paqes dhe i moralit. Ndoshta do të ishte më e përshtatshme të zëvendësohej ky çmim me një trofe për "Luftënxitësin e Vitit" dhe të vendosej një shpërblim për kokën e fituesit.

Të bësh një apel moral për paqe mund të jetë një gjë konfuze, madje edhe kundërthënëse - mjafton të pyesni ndonjë udhëheqës kishe apo xhamie. Për shumë njerëz, duket se morali sot është një fjalë e ndotur. Është i ndryshueshëm, i diskutueshëm dhe emocional - një çështje kryesisht e zgjedhjes individuale dhe e përkatësisë kulturore, jo e detyrimit, përgjegjësisë apo besnikërisë ndaj një ligji më të lartë. Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që kaq shumë amerikanë mbyllin sytë përballë shthurjes tronditëse morale të Trumpit, e ilustruar sërish nga çështja me Jeffrey Epsteinin? Identiteti shoqëror tejkalon ndërgjegjen shoqërore.

Një pjesë e madhe e popullsisë ruse vuan nga një mungesë kronike morali kur përballet me shkatërrimin që Vladimir Putini i ka shkaktuar Ukrainës. Disidentët e frikësuarit e shmangin këtë temë. Të tjerë besojnë përrallat dezinformuese të thurura nga mediat e kontrolluara nga regjimi. Shumica jetojnë në një gjendje të thellë injorance për krimet që po kryhen në emrin e tyre. Kur gjithçka të ketë mbaruar, rusët mund të pretendojnë, si gjermanët në vitin 1945, se nuk dinin asgjë. Amoraliteti zbutet nga gënjeshtra.

Mohimi i paqes nga Izraeli në Palestinë, gjithashtu ka një kosto të lartë morale. Reputacioni i tij është në rrënoja, dhe kryeministri i tij përballet me një urdhërarrest ndërkombëtar për krime lufte. Si pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj, antisemitizmi po rritet në shkallë globale,. Si mund të jetojnë kaq shumë izraelitë me mizoritë e ushtrisë së tyre në Gazë, me hijen e 58 mijë kufomave? Disa thonë se gjithçka do të ndalej po të liroheshin pengjet e fundit; të tjerë mendojnë se të gjithë palestinezët janë Hamas. Disa, nga ekstremi i djathtë, duke harruar historinë e vendit të tyre, sugjerojnë se ideja e një kombi palestinez është fantazi. Ata duan që të gjithë dy milionë banorët e Gazës të mbyllen në një kamp gjigant përqendrimi.

Shumë izraelitë nuk pajtohen. Ata dëshirojnë paqe. Dështimi i tyre për të detyruar një ndryshim të politikës së qeverisë është edhe moral, edhe politik. Po ashtu, fajtorë janë amerikanët, rusët dhe të gjithë në Britani e Evropë - politikanë dhe qytetarë - që nuk flasin, që mbyllin sytë, që justifikojnë të pajustifikueshmen për arsye shtetërore apo për rehati personale - apo që pretendojnë se vrasjet dhe kaosi, kudo që ndodhin, janë moralisht të pranueshme nëse kryhen, siç argumentonte Shën Thomai i Akuinit, gjatë ndjekjes së një “lufte të drejtë”.

Ky dështim shumë modern, kjo tërheqje drejt moralit subjektiv, të personalizuar, kjo heqje dorë nga përgjegjësia e përbashkët, mund të përmbyset. Ende ekzistojnë standardet etike universale. Ato përcaktohen nga konventat e Gjenevës, nga instrumentet e tjera laike të së drejtës ndërkombëtare, nga besimi fetar dhe nga kontrata shoqërore. Ato duhet të respektohen dhe të forcohen. Janë të domosdoshme - të vërteta ndonjëherë të pakëndshme.

Njerëzit e zakonshëm, në kohë të zakonshme, mund të zgjedhin cilat beteja morale duan të ndjekin. Por, për t’ia dhënë fundin konflikteve të mëdha dhe për të lehtësuar vuajtjet e miliona njerëzve, kërkohet një përgjigje kolektive, këmbëngulëse dhe morale nga të gjithë ata që preken. Në atë drejtim ndodhet paqja. Në atë drejtim ndodhet shpëtimi. /Telegrafi/