Nga futsalli te Kombëtarja e Brazilit: Kush është Hugo Souza, gjiganti i Corinthians që po ndiqet nga Milani

Hugo de Souza Nogueira, i njohur si Hugo Souza, është një nga portierët më të kërkuar të momentit në futbollin brazilian – dhe tashmë emri i tij figuron edhe në listën e Milanit si një alternativë e mundshme në rast largimi të Mike Maignan.
Historia e tij është një ngjitje e vërtetë: nga nisjet në futsalli, te debutimi me Brazilin dhe shpërthimi me fanellën e Corinthians.
Fillimet nga futsali te ngritja te Flamengo
Karriera e tij mes shtyllave ka nisur thuajse rastësisht. Si fëmijë, gjatë një turneu, u vendos në portë “sa për provë” – dhe aty filloi gjithçka. I lindur në Duque de Caxias pranë Rio de Janeiros, Hugo fillimisht luajti futsal për Vasco da Gama, më pas kaloi te Fluminense, derisa në vitin 2009 u bashkua me akademinë e Flamengos.
Në vitin 2018 firmosi kontratën e parë profesionale dhe dy vite më vonë debutoi kundër Palmeiras, ku u shpall menjëherë lojtari i ndeshjes. Në të njëjtin sezon erdhi edhe debutimi në Copa Libertadores me portë të paprekur ndaj Independiente del Valle.

Me Flamengon zhvilloi 71 ndeshje dhe fitoi gjithçka: 2 tituj të Serie A braziliane, 1 Libertadores, 1 Kupë të Brazilit dhe disa tituj shtetërorë.
Përvoja në Evropë dhe kthimi në Brazil
Në vitin 2023 Hugo u transferua në Portugali te Chaves, ku luajti 27 ndeshje. Më 29 mars 2024 shkroi historinë duke pritur tre penallti në një ndeshje të vetme kundër Benficës (kundër Di Marías dhe dy herë Arthur Cabral). Pas ndeshjes u shpreh me ironi: "Çfarë duhet të bëj që të më japin lojtarin e ndeshjes?… Unë prita tre penallti!"
Pas Portugalisë, në 2024 u kthye në Brazil dhe zgjodhi Corinthians.
- YouTube www.youtube.com
Sezoni i shpërthimit te Corinthians
Në kampionatin 2025 ka qenë titullar absolut: 26 ndeshje, 2340 minuta dhe 9 porta të parekura, duke u shndërruar në një nga portierët më të mirë të Brazilit. Ka qenë vendimtar edhe në triumfin në Kampionatin Paulista – me 6 porta të paprekura në 12 ndeshje.
Në çerekfinalen e Kupës së Brazilit ndaj Gremios priti një penallti vendimtare, ndërsa trajneri Ramón Díaz e vlerësoi: "Që në ditën e parë transmetoi besim te grupi".

Thirrja nga Ancelotti dhe debutimi me Brazilin
Në mars 2025 erdhi momenti i madh: Carlo Ancelotti e grumbulloi për herë të parë me Brazilin. Më 14 tetor ai debutoi si titullar kundër Japonisë – pavarësisht humbjes 3-2, ishte një hap historik, duke u bërë portieri i parë i Corinthians te Seleçao që nga viti 2017.
Ancelotti tha për të: "Nuk e thirra sepse pret penallti, por sepse është portier i mirë: ka personalitet, karakter dhe mbi të gjitha… mbron me duar, jo me këmbë".

Milani e ndjek nga afër – alternativa e Maignan
Me kontratë deri në 2028 dhe një vlerësim rreth 12 milionë euro, Hugo Souza është një nga emrat më të nxehtë të tregut. Milani, që ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e Maignan (skadon në 2026), e ka futur në listën e zëvendësuesve potencialë.
Në Brazil e quajnë “Neneca”, për reflekset dhe qetësinë e jashtëzakonshme. Me 8 penallti të pritura në karrierë, ka thyer edhe rekordin e Didas te Corinthians.
Pas sukseseve në Brazil dhe debutimit me kombëtaren, Hugo Souza sheh nga Evropa. Me përmasat, mentalitetin dhe vazhdimësinë e tij, lëvizja drejt një klubi të madh europian duket vetëm çështje kohe. /Telegrafi/

















































