Sot në Prishtinë nis edicioni i nëntë i konferencës për integritetin e informacionit, DISICON 9, e organizuar nga NDI - Instituti Kombëtar Demokratik në Kosovë.

Konferenca do të zgjasë gjatë dy ditëve, më 8 dhe 9 dhjetor 2025, dhe organizohet në ambientet e Klan Arena.


Në qendër të debatit këtë vit është tema: “Zgjedhjet, Inteligjenca Artificiale dhe Etika”.

Pjesë e programit janë prezantimi i hulumtimit të ri “UnSocial Media 2”, sesione me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe diskutime rreth sfidave të dezinformatave, ndikimit të tyre gjinor dhe dhunës online ndaj grave në politikë.

Po ashtu, DISICON 9 synon të ofrojë udhëzues praktike për përfaqësuese gra në politikë, për gazetarë që mbulojnë jetën publike, si dhe trajnime për luftimin e çrregullimeve të informacionit në epokën digjitale.

Ngjarja do të eksplorojë rolin e inteligjencës artificiale në demokraci, duke analizuar si mund të fuqizojë pjesëmarrjen e grave në jetën publike, por edhe të rrezikojë të drejtat e tyre përmes dezinformimit dhe dhunës online.

Me pjesëmarrjen e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të Big Tech, DISICON 9 synon të nxjerrë rezultate të zbatueshme dhe praktike, që do të shërbejnë si pikë referimi rajonale për integritetin e informacionit dhe qëndrueshmërinë demokratike në epokën digjitale. /Telegrafi/