LAJMI I FUNDIT:

Nëse nuk kalon Demarkacioni, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

Nëse nuk kalon Demarkacioni, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

Pozita dhe opozita nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre sa i takon çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndonëse miratimi i kësaj marrëveshjeje po cilësohet si kriter i fundit që duhet përmbushur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Derisa pozita kërkon miratimin e kësaj Marrëveshja duke vlerësuar se me këtë marrëveshje Kosova nuk humb territor, në anën tjetër partitë opozitare po këmbëngulin se kjo marrëveshje është në dëm të Kosovës pasi humbim mbi 8000 mijë hektar tokë.

Qeveria kishte vënë në rend dite Marrëveshjen e Demarkacionit në seancën e 1 shtatorit 2016. Po në këtë ditë kryeministri i vendit, Isa Mustafa para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kishte njoftuar se qeveria ka tërhequr Projektligjin, shkruan Telegrafi.

Ndonëse nuk u tha, Projektligji ishte tërhequr në mungesë të votave.

Që nga ajo kohë, ekzekutivi i vendit po tenton sigurimin e votave të nevojshme për kalimin e kësaj marrëveshje, por deri tani kjo nuk është arritur, pasi ka deputetë edhe nga pozita që po e kontestojnë këtë marrëveshje. Marrëveshja për Demarkacionin është paralajmëruar se do të dalë sërish para deputetëve gjatë këtij muaji.

Por, në rast të mosmiratimit të Marrëveshjes për Demarkacionin, a do të shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme?

Për herë të parë kryeministri i vendit para disa dite ka thënë se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nëse Kuvendi nuk e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

Mundësinë për zgjedhje nëse nuk kalon Marrëveshja për Demarkacionin në Kuvend e pohoi për Telegrafin edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica.

Reçica, ka thënë se vendi mund të shkoj në zgjedhje të parakohshme nëse nuk kalon Marrëveshja e Demarkacionit.

Sipas tij, PDK është gjithmonë e gatshme të shkoj në zgjedhje kur është në pyetje interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Nëse nuk kalon Demarkacioni si parakusht për liberalizim të vizave gjë që i prek qytetarët e Republikës së Kosovës, atëherë Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të shkoj në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Reçica për Telegrafin. /Telegrafi/