Nënshkruhet Memorandumi për fuqizimin e grave sipërmarrëse në Malishevë

Në ambientet e Komunës së Malishevës u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit për projektin “Fuqizimi i grave sipërmarrëse në Kosovë”, ndërmjet kryetarit të komunës, Ekrem Kastrati, dhe drejtorit të projektit zbatues, Valentin Hoxha.
Ky hap shënon fillimin e bashkëpunimit institucional për mbështetjen e grave në fushën e ndërmarrësisë.
“Ky memorandum shënon fillimin e bashkëpunimit institucional për mbështetjen dhe avancimin e rolit të grave në fushën e ndërmarrësisë, me fokus në krijimin e mundësive të reja ekonomike, trajnime profesionale, mentorim dhe qasje në financim,” u tha në ceremoninë e nënshkrimit.
Projekti do të zbatohet nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – Preda Plus Kosovë, me qëllim të fuqizimit ekonomik të grave dhe rritjes së pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës dhe në zhvillimin lokal.
Kryetari Ekrem Kastrati theksoi se: “Komuna e Malishevës mbetet e përkushtuar për të mbështetur iniciativat që kontribuojnë në barazi gjinore dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”
Nga ana tjetër, drejtori Valentin Hoxha vlerësoi se bashkëpunimi me institucionet lokale është kyç për suksesin e projektit.
Koordinatorja e projektit, Valentinë Krasniqi – Zogaj, shtoi se ky memorandum pritet të hapë rrugë për iniciativa konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e pozitës ekonomike të grave në nivel lokal.
Ky projekt synon të krijojë mundësi të reja për gratë sipërmarrëse, duke ofruar mbështetje praktike dhe financiare për zhvillimin e bizneseve të tyre dhe pjesëmarrjen aktive në ekonominë lokale. /Telegrafi/
















































