Në ambientet e Komunës së Fushë Kosovës, kryetari Valon Prebreza ka pritur sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Gjatë takimit, pas urimit për mandatin e kryetarit të komunës, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e një Qendre Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të re në këtë qytet.


Sipas njoftimit të komunës, vlera fillestare e këtaj projekti, i cili vlerësohet si tejet i domosdoshëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, është 2.5 milionë euro.

Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se bashkëpunimi me institucionet qendrore do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synim realizimin e projekteve të tjera në interes të qytetarëve. /Telegrafi/