LAJMI I FUNDIT:

Nënat që nuk zgjodhën të jenë të vetme

Nënat që nuk zgjodhën të jenë të vetme

Aida Jamini tash e gati tri vjet është nënë vetushqyese. Ajo ka humbur bashkëshortin, ndërsa dy djemtë e saj, shtatë dhe pesë vjeç, kanë mbetur pa babain e tyre brenda tri orësh në 14 qershorin e vitit 2018.

Bashkëshorti i Aidës ka vdekur si pasojë e këputjes së aortës abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga ajo ditë, Aida, 36-vjeçare, beson se për të ka ndryshuar gjithçka.


Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, që shënohet më 15 maj, ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se rritja e fëmijëve pa një prind, nuk është vështirësia e vetme në të cilën përballet në përditshmëri.

“I vështirë ka qenë edhe ballafaqimi me shoqërinë, kur të jesh prind i vetëm dhe në veçanti nëse je grua e re. Unë kam mbetur e ve 33 vjeçe. Ka qenë një ballafaqim befasues, në kuptimin negativ, sepse kam menduar që shoqëria jonë është shumë më mendjehapur, pasi udhëtojmë, jemi në kryeqytet dhe më është dukur që do të has shumë më shumë në mirëkuptim, përderisa kam hasur në mendjengushtësi”.

‘Prindi është baba’

Aida, e cila punon në një institucion publik, nis ditën çdo ditë në ora 5:30 të mëngjesit, ndërsa djemtë e saj gjysmë ore më vonë.

“Në orën 7:00 veç duhet të jemi në kopsht dhe më pas marr autobusin që të mos vonohem në punë. Pas punës sërish i kthehem autobusit, ndonëse 10 orë në javë i humbas në komunikacion, ne e kemi bërë rregull që pas shkollës është ushqimi, janë detyrat, në 8:30 është gjumi. Kështu kemi krijuar një rregull të mirë që nuk e prish për asgjë”.

Sipas saj, prej kur ka marrë të gjitha përgjegjësitë për dy djemtë, ajo ka provuar në lëkurën e saj edhe shumë ndasi, që shoqëria ndër vite i ka ndarë për nënën ose babain pa ndonjë arsye specifike.

“Ka qenë shumë e vështirë që të kem një muhabet si duhet me dikë, ose nëse kam shkuar në shkollë që ta regjistroj djalin, menjëherë më kanë thënë ‘E ku është baba?’, ose nëse kam shkuar te mjeku më kanë pyetur e ‘Ku është baba?’ Prindi gjithmonë është referuar si baba, e jo edhe pjesa tjetër që është nëna”.

Një vit më e re se Aida, është Kaltrina Ibishi, po ashtu nënë vetushqyese.

Ibishi, e cila me profesion është profesoreshë e gjuhës frënge dhe aktualisht është zyrtare në menaxhmentin e Aeroportit të Prishtinës, ka gjashtë vjet që kujdeset pa ndihmën e prindit tjetër, për djalin e saj shtatëvjeçar.

Si pasojë e një të kaluare, siç e quan ajo traumatike dhe të dhunshme, ajo ka vendosur të jetojë me prindërit e saj dhe t’i japë fund martesës.

“Djali im jeton në mënyrë shumë komode së bashku me prindërit e mi, të cilët ai i thërret nënë dhe babë. Unë kam preferuar të ruaj dhe ta zgjeroj ngrohtësinë familjare për djalin tim, të ruaj një standard të lartë shkollimi edhe duke sakrifikuar unë veten. Falë punës në institucione arsimore, si profesoreshë e gjuhës frënge, e në aktivitete përkthimi tekstesh të ndryshme kam siguruar të ardhurat për t’i dhënë fëmijës një jetë dinjitoze”, ka thënë ajo.

Ajo e quan fat në fatkeqësi mbështetjen e familjes në gjithë këtë situatë.

“Unë filloj punën në orën 8:00 dhe e lë fëmijën në gjumë. Për djalin tim përkujdesen prindërit e mi. Unë mund ta quaj këtë fat në fatkeqësi, meqë nuk jam një nënë e shoqëruar me një bashkëshort në rritjen e fëmijës, por unë e gjej ndihmën me dy prindërit e mi, e në veçanti babi im, i cili e ndihmon shumë djalin edhe rreth mësimeve”.

“Lufta” nëpër gjyqe

Për shkak se Kaltrina është përballur me dhunë fizike gjatë jetesës me ish-bashkëshortin edhe ndarja nuk është kryer lehtë. Ajo ka treguar për Radion Evropa e Lirë se ish-bashkëshorti nuk e ka ndihmuar deri vonë në aspektin financiar.

“Ish-bashkëshorti im nuk kishte përmbushur asnjë detyrim të përgjegjësisë prindërore, sepse sipas tij nëse fëmija jeton me nënën nuk meriton asgjë. Ai nuk ka informuar edhe për të ardhurat sipas nenit të Ligjit për familje dhe problemi më i madh është se ne këto kushte të pandemisë, askush nuk ka ndihmuar”.

Kaltrina ka treguar se pas një morie seancash gjyqësore, ka siguruar pagesën që duhet ta paguajë babai i djalit të saj për rritjen e fëmijës.

“Do t’iu bëja apel edhe nënave tjera vetushqyese që t’i drejtohen gjykatës, mos të mbesin në heshtje dhe mos te bëhen pre e rrethit tonë patriarkal”.

Ligji i Punës në Kosovë parasheh që punëdhënësit nuk mund të bëjnë zgjatjen e orarit për prindin vetushqyes me fëmijë më të ri se tri vjeç, këta prindër nuk mund të punojnë në ndërrim të natës dhe se të njëjtit kanë të drejtë në pushim vjetor edhe për dy ditë pune shtesë.

Në programin e Qeverisë së Kosovës për periudhën 2021-2025 është paraparë hartimi i skemave të reja sociale. Aty parashihet edhe zbatimi i programit të shtesave për fëmijët.

“Fëmijët nën moshën 2-vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj, ndërsa fëmijët nën moshën 16-vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj”.

Nëna me fëmijë, por pa kulm mbi kokë

Për dallim nga Aida dhe Kaltrina, rreth 300 nëna tjera vetushqyese të anëtarësuara në organizatën Nëna dhe Fëmijë të Lumtur nuk kanë as të ardhura të vetat ose as kulm mbi kokë.

Edita Dula, e cila drejton këtë organizatë që shtatë vjet tregon sesi këto gra, të papranuara nga familjet e tyre pasi janë bërë vetë nëna me fëmijë, detyrohen të nisin një jetë të re me forcat e tyre apo përmes ndihmës së organizatave si kjo që drejton Dula.

“Shumica prej tyre, që kanë fëmijë të vegjël nuk po mundemi shpesh edhe t’i punësojmë, prandaj po bëj thirrje edhe te kopshtet e ndryshme private që të pranojnë fëmijë të nënave vetushqyese, pa pagesë, në mënyrë që ne t’i punësojmë ato vazhdimisht në mirëmbajtje, nëpër shtëpi të ndryshme dhe nëpër kompani”.

Sipas saj, në këtë organizatë kërkojnë ndihmë nëna që rrisin të vetme fëmijët e tyre, të cilat kanë qenë më parë viktima të dhunës në familje, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, apo me përvoja të tilla të ngjashme.

Ndihmesa e vetme që ka pranuar Dula nga shteti është që nuk paguan qira për objektin që shfrytëzon për aktivitetet e organizatës në Komunën e Prishtinës.

Ajo thekson se organizata ka nevojë për fond të qëndrueshëm pasi nënat gjejnë përkrahje, dhe vullnetarët ndajnë kohë që të flasin shumë me nënat që kërkojnë ndihmë aty.

“Bëj thirrje që këtyre nënave t’iu ndërtohet një kompleks ose banesa, siç janë ndarë për rastet sociale, veteranët e tjera, pasi kjo është gjëja kryesore për to, si dhe në qendrat për kujdes social të ketë staf më profesional, në mënyrë që atyre t’iu qasen në mënyrë më të butë”.

Çfarë duhet të bëjë shteti në këtë drejtim?

“E domosdoshme në Kosovë pikësëpari është që të ndryshohet Ligji i Punës. Sepse aty parashihet nëna vetushqyese, mirëpo nuk definohet se çfarë do të thotë një nënë vetushqyese, që shumë shpesh nuk kuptohet mirë. E dyta, jo vetëm institucionet të cilat janë shtetërore, por edhe ato private, duhet të ofrojnë lehtësira për prindërit vetushqyes. Por edhe mos të bëhet ky seleksionimi me atë që dikush ka apo nuk ka nënë dhe dikush ka apo nuk ka babanë që t’iu qasen fëmijëve në mënyrë më të stigmatizuar”, thotë Aida Jamani.

Ajo thotë se duhet të ekzistojnë edhe qendra sociale për mbështetje psikologjike për bashkëshortët që kanë humbur partnerët e tyre, por edhe për fëmijët.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pati thënë muaj më parë se nënat vetushqyese në Kosovë diskriminohen shumëfish.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani kishte thënë se këto nëna diskriminohen nga drejtësia dhe shpesh u mohohet kontributi i dhënë për vite në familje, duke pamundësuar kështu që të përfitojnë nga ndarja e pasurisë.

Mes tjerash ajo ka përmendur edhe trajtimin e këtyre nënave nëpër qendra sociale, nga shoqëria, si dhe atyre u diskriminohen edhe fëmijët.

“Shpeshherë këta fëmijë përballen me diskriminim dhe stigmatizim sistematik si nga shokët e shoqet, ashtu edhe nga mësimdhënës të caktuar”.

Çfarë është familja për ju?

Aida e konsideron familjen e saj të shenjtë.

“Familja nuk është vetëm gjaku, familja nuk është vetëm personi që ke nënë, baba, motër, vëlla, bashkëshort apo fëmijë. Familja është diçka edhe që të rri afër dhe është diçka shumë e shenjtë, që duhet të ushqehet dhe duhet t’i jepet dashuri”.

Për Kaltrinën është vend i shpresës.

“Familja për mua është vend i mirëpritjes dhe besimit që gjeneron shpresë!” /rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
Përplasjet për doracakët

Përplasjet për doracakët "Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues", tri komunat që udhëhiqen nga opozita ndalojnë përdorimin e tyre

Lajme
Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

Arsim
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Lajme
Kalo në kategori