Nën hetim 39 policë, kanë bërë lëshime në rastin e dhunës në familje ndaj Ivana Jovanovskës

Departamenti i specializuar pranë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të hetojë veprimet e 39 zyrtarëve policorë në rastet e dhunës në familje të kryera nga Stojançe Jovanovski ndaj bashkëshortes së tij Ivana dhe vajzës së mitur Katja.
Ministria e Punëve të Brendshme ka konstatuar lëshime në veprimet e zyrtarëve, ndërsa njoftimi është dorëzuar në prokurori për veprime të mëtejshme.
Gjyqi ndaj Jovanovskit filloi dje në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Ai pjesërisht pranoi fajësinë për dy vepra penale, por nuk ndihet fajtor për veprën penale “nxitje dhe ndihmë në vetëvrasje”.
Nëna e të ndjerës Ivana deklaroi se vajza e saj për vite me radhë kishte jetuar në frikë dhe nën kontrollin e bashkëshortit. Gjykata do të vazhdojë me paraqitjen e provave.
“Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale pranë MPB-së konstatoi lëshime në veprimet e 39 zyrtarëve policorë, të cilët kanë vepruar sipas kallëzimeve për dhunë në familje. Ky departament dorëzoi njoftim në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, deklaroi Goce Andrejevski – zëdhënës i MPB-së.



















































