Më 5 dhe 6 qershor dezinsektim selektiv kundër rriqnave në Zatriq dhe Drenoc të Rahovecit

Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Rahovecit ka njoftuar se më 05.06.2026 në fshatin Zatriq dhe më 06.06.2026 në fshatin Drenoc do të realizohet dezinsektimi selektiv kundër rriqnave, në kuadër të projektit për parandalimin dhe kontrollin e EHKK-së (Etheve Hemorragjike Krime-Kongo).
Në njoftimin e publikuar në Facebook, drejtoria u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm dhe të respektojnë udhëzimet e ekipeve që do të jenë të angazhuara në terren gjatë realizimit të dezinsektimit.
“...i lusim qytetarët të informohen që të jenë të vëmendshëm dhe të respektojnë udhëzimet e ekipeve të angazhuara në terren gjatë realizimit të dezinsektimit…”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Drejtoria e Bujqësisë ka njoftuar bletarët që gjatë datave të lartcekura të mos i nxjerrin bletët në kullosa.
“…bletarët informohen të mos i nxjerrin bletët në kullosa gjatë datave të lartcekura”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/

































