LAJMI I FUNDIT:

Në Pejë 104,123 qytetarë me të drejtë vote

Në Pejë 104,123 qytetarë me të drejtë vote

Kosova po bëhet gati për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen nesër (14 shkurt). Në këtë kuadër edhe Komisionet Komunale Zgjedhore kanë kryer përgatitjet.

Në Pejë çdo gjë është gati për një proces të rregullt zgjedhor.


Kryeshefi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Pejë (KKZ) , Avdurrahim Haxhisefa, ka deklaruar se në Pejë, KKZ ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtje të procesit të nesërm zgjedhor.

Haxhisefa ka thënë se komuna e Pejës ka të regjistruar 104 mijë e 123 persona me të drejtë vote ndërsa qendrat e votimit dhe vendvotimet janë gati.

“Në Pejë kemi të regjistruar 104 mijë e 123 persona me të drejtë vote. Për këta kemi 24 qendra të votimi me 122 vendvotime. Herën e shkuar kemi pasur 138 vendvotime. Nërsa arsyeja se pse tani kemi më pak është se kemi pastruar listat nga të vdekurit dhe me rënien e numrit të votuesve potencial, bie edhe numri i vendvotimeve”,  deklaroi Haxhisefa në ‘RADIO 1’.

Haxhisefa ka deklaruar se KKZ është gati edhe me ekipet mobile.

“Sipas masave antiCovid ne jemi në kontakt edhe me ISHP-në. Kemi ekipet mobile dhe të gjithë personat në nevojë që janë paraqitur me kërkesë, do të kryejnë votimin në shtëpi. Pra ata me shëndet të rrezikuar dhe tash krahas kësaj rrezikohen edhe më shumë nga Covid 19, ne do jemi tek ata, si çdoherë”, shtoi Haxhisefa.

Kryeshefi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Pejë Avdurrahim Haxhisefa ripotencoi mundësinë e votimit me njërin nga dokumentet valide të shtetit të Kosovës.

“Mund të votohet qoftë me lëternjoftim, qoftë me pasaportë, qoftë me patent shofer. Të tri dokumentet  duhet të jenë valide dhe të shtetit të Kosovë”, tha Haxhisefa.