Në Obiliq mbahet dëgjimi publik për Planin e Punës për të Drejtat e Fëmijëve 2026–2029

Në sallën e Kuvendit Komunal të Obiliqit është mbajtur dëgjimi publik për Planin e Punës për të Drejtat e Fëmijëve 2026–2029, me qëllim të përfshirjes së institucioneve, organizatave dhe qytetarëve në procesin e hartimit të këtij dokumenti strategjik.
Takimin e hapi udhëheqësja e Njësisë për Antidiskriminim dhe Barazi Gjinore, znj. Ganimete Aliu, e cila theksoi rëndësinë e planifikimit të politikave gjithëpërfshirëse që garantojnë mbrojtjen dhe zhvillimin e mirëqenies së fëmijëve në komunë, njofton Telegrafi.
Në këtë kuadër, Komuna e Obiliqit ka theksuar përkushtimin e saj për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke e bazuar këtë angazhim në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.
Hartimi i këtij plani po mbështetet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe organizata “Syri Vizion”, ndërsa dëgjimi publik shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kornize gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e fëmijëve në nivel lokal. /Telegrafi/







































