Me mijëra protestues u mblodhën sot në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në protestën e thirrur nga OVL-UÇK, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë, informon Telegrafi.


Protesta u përkrah nga figura politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, nisur nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ahmeti në fjalimin e tij tha se ish-krerët e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht dhe se të njejtëve duhet t’u jepet mirënjohje e jo të dënohen.

"UÇK dënonte çdo veprim fashist dhe veprim kundër popullatës civile. UÇK e shpalli veten ushtri e popullit që lufton për lirinë e popullit të vet. Është e vërtetë e madhe që objektivin e madh nuk e arritëm për të ndërtuar hierarki, prandaj nuk do të donim që akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuzat që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale të njollosin historinë e luftës çlirimtare. Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen pas grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Gjithë procesin e kemi përcjellë dhe na dridhej lëkura kur dëgjonim akuza që neve na i kishte bërë Beogradi dhe Moska, si kriminel e banditë. Ne e kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popuj tjerëve", tha Ahmeti.



Fjalë rasti pati edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL UÇK), Hysni Gucati, ai tha se gjykata e Hagës me gjykimin e tyre që po e bënë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë.


"Sot jemi mbledhur t'u tregojmë ambasadave të huaja që gjenden në Maqedoni se UÇK nuk ka qenë ushtri kriminale, por ka qenë ushtri që mbrojti qytetarët e vet. Kjo gjykatë e formuar nga një njeri i çmendur i cili ngriti rezolutë në Parlamentin e Evropës se gjoja UÇK ka bërë krime dhe ka hequr organe nga njerëzit. Ne sot me këtë numër kaq të madh të njerëzve këtu, tregojmë se UÇK buron nga populli, lindi nga populli dhe e mbron populli. Gjykata e Hagës u ngjan gjykatave të Jugosllavisë. Kërkojmë që Evropa të mos ia ve vetes faqen e zezë me ato gjyqtarë të gjykatës së Hagës", theksoi Gucati.



Kujtojmë se protesta në Shkup erdhi pas tubimeve në Tiranë dhe Prishtinë, ku në sheshet kryesore të kryeqyteteve u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. /Telegrafi/