Në Gjonaj të Hasit përgatitet flija gjigante 100 kilogramëshe në “Darkën e bereqetit hasjan”

Në fshatin Gjonaj të Hasit, është mbajtur për të tretin vit radhazi aktiviteti tradicional “Darka e bereqetit hasjan”, i cili mbledh banorë të zonës, mysafirë nga Prizreni e më gjerë, për të festuar fundin e të korrave dhe bereqetin e vitit.
Në qendër të festës ka qenë flija gjigante, një veçori tashmë e njohur e këtij aktiviteti, e përgatitur nga Ramadan Totaj – anëtar i Shoqërisë Kulturore Artistike “Malësori”.
Totaj tha se përgatitja e kësaj flije kërkon përkushtim dhe përvojë, ndërsa theksoi se këtë vit ajo peshonte plot 100 kilogramë dhe ishte rreth 2 metra e gjatë.
“Ky është një simbol i bashkimit dhe gëzimit për fundin e një viti të begatë. Flija përgatitet me dashuri, dhe është krenari për të gjithë ne që e mbajmë gjallë këtë traditë,” u shpreh Totaj.
Kryetari i SHKA “Malësori”, Haziz Hodaj, tha se “Darka e Lamës” është ndër festat më origjinale dhe autoktone të Hasit, që pasqyron më së miri shpirtin punëtor dhe mikpritës të banorëve të kësaj treve.
Edhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, mori pjesë në këtë ngjarje, duke theksuar se festa të tilla që ruajnë e përcjellin traditat shqiptare duhet të përkrahen vazhdimisht.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe antropologia e njohur amerikane, Janett Reineck, e cila vlerësoi se “Darka e bereqetit hasjan” ka rëndësi të veçantë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe identitetit të Hasit.
Pjesëmarrësit shijuan ushqimet tradicionale dhe atmosferën festive, ndërsa flija gjigante, e përgatitur në mënyrë kolektive nga banorët e Gjonajt, mbeti atraksioni kryesor i ditës.
“Darka e Lamës”, e njohur gjithashtu si “darka e lamijeve, e fushës dhe e bereqetit”, është një festë tradicionale që simbolizon përfundimin e të korrave të drithërave dhe vjeshtës, duke kremtuar një vit të mbarë dhe të begatë për banorët e Hasit.


















































