Komuna e Dragashit ka njoftuar se në organizim të Institutit për Planifikim Hapësinor në kuadër të MMPHI-së është mbajtur takimi publik për shqyrtimin e Draft-Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri dhe Draft-Raportit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Planin Hapësinor në Parkun Kombëtar Sharri.

Në këtë takim, sipas njoftimit, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini dhe shefi i Zyrës për Komunitete, Uzair Hamza, që njëherësh është pjesë e Grupit Punues Ndërministror për hartimin e këtyre dokumenteve, si dhe zyrtarë të tjerë komunalë.


Xheladini ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm gjatë hartimit të këtyre dokumenteve për Parkun Kombëtar të Sharrit, në të cilat sipas njoftimit “janë përfshirë edhe shumë kërkesa të adresuara nga ana e Komunës dhe qytetarëve”.

“Në këtë takim u kërkua që edhe shumë kërkesa të tjera të përfshihen në Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit, raporton Telegrafi.

Kryetari Xheladini gjithashtu ka ritheksuar nevojën që në Dragash të themelohet një zyrë në kuadër të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri, për shkak të specifikave dhe shtrirjes së këtij parku në një hapësirë të madhe të territorit të kësaj komune.

“Konsultimi publik për Draft planet për Parkun Kombëtar Sharri mbetet ende i hapur dhe të gjithë ata që janë të interesuar për përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe dërgimin e komenteve dhe sugjerimeve të tyre, mund të drejtohen në adresë të MMPHI-së dhe Institutit për Planifikim Hapësinor”, përfundon njoftimi.

Takime publike për shqyrtimin e Draft-Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri dhe Draft-Raportit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Planin Hapësinor në Parkun Kombëtar Sharri paraprakisht janë mbajtur në Suharekë dhe në Prizren. /Telegrafi/