LAJMI I FUNDIT:

Ndikimet kombëtare dhe të huaja në uniformat e Ushtrisë së Shqipërisë!

Ndikimet kombëtare dhe të huaja në uniformat e Ushtrisë së Shqipërisë!

Armand Plaka

Kapitullimi pa kushte ndaj Italisë fashiste në 1939 dhe zbrazja vetëm e disa pushkëve nga individë apo grupime patriotike e nacionaliste, ia zbehu totalisht vlerat asaj. Edhe pse shumëçka vërtitet akoma në kuadrin e enigmave që ia lenë vendin shumë pikëpyetjeve, ku rol patën shumë faktorë; qysh nga mos angazhimi me dashje, pamundësia për t’u përballur me një ushtri e shtet që kishte kapacitete dhjetëra-fish më të mëdha kundrejt Shqipërisë së vogël, e deri te sabotimi apo lëvizjet nën rrogoz të grupimeve politike të brendshme e të jashtme, ajo do të ngelet një njollë e zezë jo vetëm në historiografinë e Ushtrisë Shqiptare.


Vetë monarku do të shihej me dyshim për rolin e tij në këtë çështje derisa vdiq e do ta paguante me çmim të lartë miqësinë që kishte mbjellë me italianët, edhe pse i detyruar nga rrethanat.

Gjithashtu nuk kemi mundur ta mësojmë kurrë se cili do të kishte qenë reagimi i Ushtrisë shqiptare gjatë monizmit, nëse vendi do ishte sulmuar nga ndonjë fuqi ushtarake, organizuar jashtë kufijve e se deri ku mund të arrinte me forcën e saj për t’i bërë ballë një apo disa kundërshtarëve njëkohësisht, edhe pse dukshëm ishte tashmë shumë më e modernizuar, më e madhe në numër, duke përthithur investime të cilat shkonin madje deri në ekstrem, por që nga ana tjetër i ishte nënshtruar në mënyra të ndryshme edhe një rrënimi disi “të padukshëm”.

Vitet e mëvonshme treguan se madje ka pasur edhe një plan mësymjeje në sirtar, çka e bënte këtë ushtri jo vetëm mbrojtëse, megjithëse akoma nga shumëkush, plani për të ndërhyrë në Kosovë në vitet ’80, shihet si një thashetheme pa bazë.

Sidoqoftë, përgatitja ushtarake dhe aftësia për t’i bërë ballë sfidave të kohës, është një temë mjaft e gjerë që ka nevojë për ekspertizë shumëplanëshe, ndërsa objekt i këtij shkrimi janë uniformat e Ushtrisë shqiptare, të para si elementë që e lidhin atë më shumë me frymën kombëtare, traditat dhe simbolet, duke i dhënë kësisoj më shumë frymëzim e dinjitet.

Ndoshta është thjesht një konstatim paraprak, edhe pse qartazi shihet se (duke mos marrë si bazë periudhat paraardhëse në të cilat regjistrohen vetëm përpjekje për një ushtri kombëtare të modernizuar) vetëm në kohën e monarkut Zog I ajo ka qenë vërtetë unike, d.m.th. shqiptare, kombëtare, pa ndikime e importime nga ushtritë e traditat e tjera të huaja në këtë aspekt.

Kohët që pasuan sollën veshje të cilat ishin një përshtatje e atyre të “aleatëve” apo “padronëve të radhës”, duke ia nisur që nga Italia, e deri tek Kina. Fotot që po botoj, e ilustrojnë më mirë këtë pretendim, ndërsa sheh për shembull, ish-ushtarakë shqiptarë në dy kohë të ndryshme, si ajo e Zogut dhe ajo e monizmit, në dekadën e “miqësisë së pathyeshme” me ish-Bashkimin Sovjetik, ku fare lehtësisht mund të besosh se sheh anëtarë të Ushtrisë së Kuqe e jo shqiptarë.

Milicia shqiptare (fashiste) gjatë një parakalimi në Tiranë më 1941 dhe parakalimi i pjesëtarëve të Ushtrisë së Shqipërisë në vitet 1970

Më parë, menjëherë pas Luftës, uniforma e Ushtrisë Shqiptare (por edhe e Policisë dhe Sigurimit) do të ishte një kopje 100 për qind e asaj jugosllave, ku pustina do të vijonte të qëndronte edhe më tej në kohë.

Por më vonë do të viheshin re edhe tendencat kineze në uniformat shqiptare, që do të sillnin veç të tjerash, edhe një “risi” ekstreme në këtë aspekt: do të hiqnin fare gradat e oficerët e mund t’i ngatërroje lehtësisht me ndonjë karrocier. Kjo marrëzi vijoi deri në rënien e regjimit në vitin 1991.

Por, para saj, do të mbizotëronte ajo e Ushtrisë Fashiste, veshje me të cilat do të shiheshin rëndom jo vetëm hierarkët fashistë shqiptarë, por edhe anëtarët e Milicisë. Më 18 shtator 1939, Jakomoni nënshkroi dekretin për krijimin e Milicisë fashiste, një nga organizmat e parë të Partisë Fashiste Shqiptare. Kjo strukturë bënte pjesë në Milicinë Vullnetare për Sigurimin Kombëtar. Kjo milici “garantonte zhvillimet e revolucionit fashist”, por angazhohej edhe si trupë elitare në kuadër të ushtrisë. Megjithatë në to shihen qartë edhe simbole kombëtare, si plisa apo qeleshe, e madje shkonte edhe më tej, kur sheh se anëtarët e “Gardës Mbretërore” (Guardia Reale Albanese) parakalonin në mes të Romës, të veshur tërësisht në kostume kombëtare shqiptare. Më tej, ndërsa oficerët do t’i riktheheshin uniformave të monarkisë (duke u hequr sidoqoftë simbolin e Zogut), ushtarët e Ushtrisë Kombëtare të ringritur gjatë kohës së Regjencës gjatë periudhës së pushtimit gjerman, pas kapitullimit të Italisë, do të vijonin t’i mbanin në pjesën më të madhe për nevoja utilitare, uniformat e ushtrisë italiane, tashmë me emblemën e “shtetit të ripavarësuar” shqiptar.

Tefik Mborja me hierarkët fashistë shqiptarë më 1941, në veshje të njëjta me ato të italianëve

Më tej, ndër partizanët (e madje pjesërisht edhe ndër forcat nacionaliste) do të shiheshin rëndom uniformat britanike, të parashutuara si ndihma nga aleatët në Luftë ndaj gjermanëve, sidoqoftë duke gëzuar një status më së shumti jozyrtar. Në shumë foto e në raporte të oficerëve të misioneve aleate në Shqipëri në periudhën 1943-45, citohen qartazi pohimet që lidhen me këtë fakt.

Anëtarët e regjencës përballë ushtarakëve gjermanë dhe komandantit të Ushtrisë shqiptare, gjeneralit Preng Previzi

Periudha e demokracisë do të shihte gjithëfarëlloj uniformash që reflektonin edhe varësinë e Ushtrisë Shqiptare nga ndihmat e ushtrive mike, pa mundur të krijohej dot një model që reflektonte traditën shqiptare. Shihje rëndom në vitet ’90 kamuflazhe lara-lara e eksperimente të dështuara për të unifikuar, sistemuar e organizuar më mirë punën në këtë aspekt, por do të duhej të kalonin shumë vite derisa të vihej re një tendencë pozitive, edhe pse ajo reflekton sërish një kahje ( edhe pse jo negative) imituese përballë aleatëve tanë strategjikë.

Foto4: Anëtarë të misioneve britanike në vitet 1943-44 dhe krerët nacionalistë shqiptarë

Aktualisht prej vitesh, sidomos pas anëtarësimit në NATO, vihet re një disiplinim edhe në këtë aspekt, duke sjellë më shumë dinjitet e seriozitet për Forcat tona të Armatosura.

Siç do të kujtonte më vonë studiuesi Artan Lame, “Në dhjetor 2002, me rastin e 90-vjetorit të Ushtrisë, u hap në Galerinë e Arteve, Ekspozita “Shteti shqiptar në uniforma”: ”Shteti shqiptar vuri në dispozicion djelmoshat e Gardës dhe korrentin, unë vura në dispozicion koleksionin tim të uniformave dhe… rezultati. Ekspozita qëndroi e hapur vetëm katër orë, aq sa mund të rrinin pa ngrënë djemtë e mrekullueshëm të Gardës. Megjithatë, ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe, për ditë me radhë, vijuan të shkonin njerëz në Galeri me dëshirën për të parë ekspozitën që nuk ishte më”.

Ekspozita “Shteti shqiptar në uniforma”

Sidoqoftë, këto janë vetëm disa konstatime ku diskutimi ndoshta s’do mund të shkonte më shumë se sa vlerat estetike të ndërthurura me ato tradicionale, shumë domethënëse për studiuesit e fushës apo të apasionuarit pas numizmatikës, por një luks në vetvete përballë diskutimit shumë më të rëndësishëm, i cili tek e fundit do na përballte të gjithëve dikur me pyetjen që shtruam në hyrje të këtij artikulli: Sa e aftë është Ushtria jonë për t’u përballur me sfidat e kohës? E këtu diskutimi rreth uniformave mbyllet.