NDI organizon “Javën e Gruas”, sot mbahet konferenca hapëse

Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë mban sot konferencën hapëse të “Javës së Gruas 2026”, e cila do të mbahet gjatë 25-26 mars 2026.
Konferenca mbahet duke filluar nga ora 10:00 në Hotelin Emerald në Prishtinë.
“Java e Gruas është një platformë vjetore që mbledh gra dhe burra nga kuvendet komunale, partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të fuqizimit të lidershipit të grave dhe avancimit të pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. Këtë vit, konferenca organizohet nën temën “Fuqia në Partneritet: Nga dialogu në veprim”, duke synuar të reflektojë mbi zhvillimet politike dhe zgjedhore të vitit 2025 dhe të adresojë barrierat strukturore që vazhdojnë të ndikojnë në avancimin e grave në pozita udhëheqëse.
Ngjarja do të përfshijë fjalime hyrëse nga përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasuar me diskutime dhe panele që trajtojnë çështje të lidershipit të përgjegjshëm gjinor, koordinimit të politikave dhe sfidave në avancimin e barazisë gjinore në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Java e Gruas organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. /Telegrafi/





















































