Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka akuzuar Komunën e Prishtinës për shkelje të vazhdueshme të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, duke ndërhyrë në zona të mbrojtura pa leje të shkruar nga institucioni kompetent.

Në një konferencë për media, udhëheqësi i Divizionit për Hartim dhe Harmonizim të Legjislacionit në MKRS, Bislim Bislimi, tha se Komuna e Prishtinës “vazhdon të ndërhyjë në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, edhe përkundër paralajmërimeve tona të përsëritura.”


Ai përmendi disa projekte të fundit që, sipas MKRS-së, janë realizuar në kundërshtim me ligjin: lidhja e lagjes “Arbëria” me platonë e Pallatit të Rinisë, punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, projekti për rrugën “Agim Ramadani” dhe nisja e punimeve në rrugën “Rexhep Luci”.

“Të gjitha këto janë ndërhyrje pa leje të shkruar dhe ndodhen në sipërfaqe të mbrojtura nga trashëgimia kulturore,” tha Bislimi, duke theksuar se MKRS konsideron se këto veprime të përsëritura janë të qëllimshme dhe me precedent të rrezikshëm.

Ai theksoi se ministria ka ndërmarrë masa administrative për ndalimin e punimeve të kundërligjshme dhe se janë bërë dy referime në organet e ndjekjes penale për shkeljet e Komunës.

“Më 27 dhjetor 2024, MKRS ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit Përparim Rama në Prokurorinë Speciale të Kosovës për projektin e lidhjes së lagjes Arbëria me platonë e Pallatit të Rinisë,” tha Bislimi.

Po ashtu, MKRS ka bërë një kërkesë më 2 prill 2025 për fillimin e hetimeve në Policinë e Kosovës, duke vlerësuar se “i takon organeve të drejtësisë të sqarojnë rrethanat e lidhjes së kontratave, nëse janë të qëllimshme apo jo.”

Bislimi u shpreh se Komuna e Prishtinës është e njohur me procedurat për marrjen e lejeve dhe pëlqimeve për projekte të ndryshme dhe se “nuk ka asnjë arsye që ato të anashkalohen, përveç nëse bëhet me qëllim.”

Ai kritikoi edhe veprimet e kryetarit Rama për të paditur inspektorin e trashëgimisë kulturore, duke thënë se “këto janë përpjekje për manipulim të opinionit publik.”

“Na vjen keq që kryeqyteti udhëhiqet nga shembuj kaq brutal të shkeljes së ligjit, rrezikimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe eventualisht të fondeve publike,” përfundoi Bislimi, duke kërkuar reagim të shpejtë nga organet e drejtësisë. /Telegrafi/