Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë privuar nga liria pesë persona për shkak të "drejtimit të papërgjegjshëm të automjetit" sipas nenit 297-a të Kodit Penal.

Siç njoftojnë nga MPB, dy nga personat e ndaluar kanë vozitur në autostradën Shkup - Tetovë.


"Në autostradën Shkup–Tetovë (Studena Voda) – A.J. (31) nga Leshnica e Poshtme drejtonte “Audi” me 184 km/h në zonë ku kufiri është 80 km/h. Gjithashtu në autostradën Shkup–Tetovë – B.A. (25) nga Studeniçani me “BMW” u kap duke ngarë me 192 km/h, në vend ku shpejtësia e lejuar është 100 km/h".

"Në rrugën Mavrovë-Rostushë (Rostushko Ançe) – V.D. (48) nga Shkupi, në “Škoda”, u ndalua nën ndikimin e 2,90 promilë alkool. Në Veles – D.V. (27) nga Velesi drejtonte “BMW” me 2,28 promilë alkool në gjak. Ndërsa n/ rrugën Manastir – Mexhitlia (fsh. Kravari) – S.S. (22) nga Egri drejtonte “Volkswagen Polo” me 107 km/h në zonë të banuar, ku kufiri është 50 km/h", thonë nga MPB.

Sipas MPB-së, të gjithë shoferët janë përjashtuar menjëherë nga komunikacioni. Për ngjarjet janë informuar prokurorët kompetentë dhe pas dokumentimit të plotë, ndaj tyre do të ngriten kallëzime penale.