Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj ndalimit të kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, duke e cilësuar këtë veprim si të pabazuar dhe të panevojshëm.

"Si avokat i z. Hekuran Nikçi, shpreh shqetësimin tim për ndalimin e tij dhe mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje. Ky ndalim është i panevojshëm dhe i pabazuar. Z. Nikçi po hetohet pa prova konkrete për përgjegjësinë e tij penale, ndërsa mënyra se si po zhvillohet ky proces nuk i ngjan një hetimi të drejtë dhe ligjor", ka shkruar Koci.


Sipas tij, rasti në fjalë është çështje e interpretimit juridik të veprimeve ligjore të palëve në një kontest administrativ dhe drejtësia duhet të mbetet e pavarur, pa ndikime politike apo të tjera.

"Do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e z. Nikçi dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent", përfundon reagimi i avokatit Koci./Telegrafi/