LAJMI I FUNDIT:

Naim Dedushaj: Diaspora, potenciali ynë i madh, përmes Rrjetit të Bizneseve të Diasporës synohet bashkimi ekonomik i shqiptarëve

Naim Dedushaj: Diaspora, potenciali ynë i madh, përmes Rrjetit të Bizneseve të Diasporës synohet bashkimi ekonomik i shqiptarëve

Krijimi i një rrjeti të bizneseve shqiptare në diasporë, ka qenë njëra nga idetë përmes së cilës është synuar që të identifikohet dhe bashkohet fuqia ekonomike dhe të krijohet një lidhje në mes shqiptarëve në mërgatë në njërën prej fushave më të rëndësishme.

Naim Dedushaj, ka qenë njëri nga njerëzit që e ka nisur këtë iniciativë, e cila në vitin 2014, kur u titullua Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se ideja për këtë organizim ka filluar qysh në vitin e 90-ta, kohë kur ky kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Ideja ka lindur në vitet e 90-ta, por kjo u realizua vetëm pasluftës, me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës së Kosovës, qeverisë amerikane dhe asaj finlandeze”, ka shtuar Dedushaj.

Ai ka thënë se potenciali i madh ekonomik i diasporës shqiptare ishte e domosdoshme që të bashkohet në një ombrellë, si mundësi e mirë për ta ndihmuar bizneset njëri tjetrin dhe viset shqiptare.

“Mund të them se këtë formë të organizimit e kanë përdorur edhe hebrenjtë, e që ka rezultuar e suksesshme, e pse mos t’i adaptojmë edhe ne idetë  të cilat kanë funksionuar nëpër botë. Vlen të theksohet se ideja ka gjetur mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe atyre të trojeve shqiptare”, ka theksuar Dedushaj.

Ai ka thënë ndonëse rrjeti ka filluar në Zvicër, tash është prezent në 25 shtete, në katër kontinente, ku ka sipas tij, mërgatë shqiptare, duke shkuar deri në Australi e Zelandë të Re, SHBA, Kanada, nëpër shtetet e Evropës dhe Turqi.

“Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i bizneseve do të mund të ndihmonte që të kemi edhe investime në viset shqiptare, dhe pse jo krijimin e një fondi gjithëshqiptar që do të kishte fuqi të madhe ekonomike”, ka theksuar Dedushaj.

Ai në intervistën për Telegrafin ka folur edhe edhe për veprimtarinë e lobit shqiptaro – amerikan në çështjen shqiptare në përgjithësi, por me theks të veçantë për kontributin e pashoq të këtij komuniteti në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/