LAJMI I FUNDIT:

Nafta me rritje

Nafta me rritje

Çmimet e naftës e kanë filluar javën në rritje, për shkak të rënies së numrit të puseve aktive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë javës së kaluar, që sugjeron edhe një rënie të prodhimit.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.6 dollarë për fuçi, pranë nivelit më të lartë në 2 vite e gjysmë.


Ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.7 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se, fitimet janë mbështetur nga ngadalësimi i aktivitetit të shpim-kërkimit në SHBA.

Referuar të dhënave zyrtare, numri i puseve në ekonominë më të madhe në botë ra me pesë njësi, gjatë javës që u mbyll më 5 janar, në totalin e 742 puseve.

Por, pavarësisht kësaj, analistët mendojnë se, prodhimi në SHBA do të tejkalojë nivelin e 10 milionë fuçive në ditë, gjatë tremujorit të parë të 2018-ës, për shkak të rritjes së prodhimit të naftës argjilore.

Ky nivel është i përafërt me Arabinë Saudite dhe Rusinë, dy prodhuesit më të mëdhenj në botë të naftës.

Rritja e prodhimit në SHBA, është ndër shqetësimet kryesore të OPEC dhe Rusisë, të cilët janë angazhuar për të ulur prodhimin me 1.8 milion fuçi në ditë, nga janari i vitit 2017, deri në fund të këtij viti.

Gjithashtu, çmimet po gjejnë një mbështetje të lehtë edhe nga tensionet në Lindjen e Mesme, sidomos në Iran. /Telegrafi/