Dardan Mustafaj tha se vendimi i sotëm është vetëm një hap në procedurën që mund të çojë në shkarkimin e Metës.
“Ai është aktualisht në detyrë dhe ka kompetenca të plota. Nuk ndryshon asgjë”, tha Mustafaj.
Ai tha se shkaqet e ngritura nga Parlamenti për shkarkimin e presidentin nuk kanë të bëjnë me akte antikushtetuese të këtij të fundit, por me sjelljen dhe retorikën e tij.
“Shkaqet që ka ngritur Parlamenti, janë shkaqe që kanë të bëjnë me mënyrën se si presidenti është shprehur ose është sjellë, por jo me akte apo veprime konkrete që mund jenë përkthyer në dekrete apo në vendime që kanë shkelur drejtpërdrejtë Kushtetutën”, u shpreh Dardan Mustafaj.
Gjykata Kushtetuese ka afat dy muaj për të shqyrtuar çështjen, mirëpo duke parë interesimin e Parlamentit për shkarkimin e tij, atëherë shqyrtimi mund të përshpejtohet, sipas juristit.
“Gjykata Kushtetuese do ta nisë shqyrtimin menjëherë por nuk është se ligji organik për GJK parashikon afate specifike për këtë lloj kërkese. Gjykata Kushtetuese ka parimisht dy muaj për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Duke parë gjendjen dhe interesimin, besoj se Gjykata Kushtetuese në mos do ta respektojë këtë afat, do të tregohet edhe më e shpejtë në gjykimin e kësaj çështjeje. Vetë gjyqtarët vendosin nëse mund t’i japin përparësi apo jo. Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendime në urgjencë edhe brenda një dite”, tha Dardan Mustafaj.
Mustafaj sqaroi më tej se dy muaj është afati për të marrë një vendim paraprak nëse çështja kalon në seancë apo jo dhe nëse kalohet në seancë, nevojitet koha e nevojshme për të realizuar seancën e cila sipas ligjit, duhet të jetë publike.
Tutje theksoi se vendimi i sotëm me atë raport votash pro nuk do të ishte marrë nëse Parlamenti nuk do të kishte këtë përbërje, nga ku mungojnë deputetët e opozitës që dorëzuan mandatet.
“Ky vendim duket që është një vendim se në kushte normale nuk do ishte i mundur të merrej dot si vendim. Shkaqet kanë të bëjnë me sjelljen e tij që mund të konsiderohet një sjellje normale në një kontekst politik”.
Për Mustafaj, Ilir Meta nuk ka bërë shkelje të Kushtetutës dhe nga mënyra se si u votua sot në Parlament, ky vendim, sipas tij, mund të ketë nuanca politike.