LAJMI I FUNDIT:

A mund të punojnë bashkë dy shqiptarë?

A mund të punojnë bashkë dy shqiptarë?

Shumica e kompanive në botë kanë sukses për shkak të profesionalizmit. Por baza e këtij suksesi është besimi. E kur ortakët janë edhe profesional edhe të besueshëm nuk ka dyshim në suksesin e kompanisë.

Kjo ka ndodhur tek kompania ‘Happy’. Gjë që i përgjigjet fort mirë pyetjes qe shpesh e kemi dëgjuar ‘A mund të punojnë bashkë dy shqiptarë?’.


Fabrika ‘Happy’ është themeluar nga tre ortak, tre të rinj kosovar, të cilët përveç që bashkëpunuan arritën të jenë shumë të suksesshëm si në tregun vendor edhe atë të jashtëm.

Alban Raci, Bashkëthemelues dhe Drejtor i Financave në fabrikën ‘Happy’ thotë se bashkëpunimi dhe besimi që kanë mes vete ka qenë faktor i rëndësishëm në suksesin e kompanisë.

“Normalisht, në kuadër të punës ka gjithmonë mosmarrëveshje, por ato kisha thënë mosmarrëveshje të mira pra është mirë kur debatohet. Por pjesa tjetër është se ne njihemi që nga fëmijëria, kemi qenë shokë të gjeneratës, studimeve, e besa edhe para studimeve. Jemi rritur bashkë, edhe të mirën edhe të keqën e kemi nda bashkë, e kjo në një far forme ka bërë që të jemi të suksesshëm edhe në biznes edhe mos të kemi fërkime të mëdha”, ka thënë ai në rubrikën ‘Made in Kosova’, të emisionit 7 Ditë me Panxhën.

Bashkëpunimin e suksesshëm e ka përshkruar thjeshtë me një fjali edhe bashkëthemeluesi tjetër i fabrikës ‘Happy’ Kushtrim Hoti.

“Përderisa njerëzit janë të sinqertë është lehtë të arrihet qëllimi”, ka thënë ai.

E pyetjes se pse fabrika “Happy” ka këtë emër, Kushtrim Hoti i ka dhënë një përgjigje të bukur.

“Ne si të ri kemi qenë happy (të lumtur) dhe kemi dashur edhe vendin tonë me e bë ‘happy’”, ka thënë ai në storien e përgatitur nga emisioni 7 Ditë me Panxhën.

Ndryshe, fabrika ‘Happy’ me sukseset e saj po vazhdon të jap kontribut edhe në eksportin e Kosovës, kështu duke eksportuar produktet e tyre në 13 shtete të Evropës. Përderisa eksporte të rregullta bëjnë  në Itali, Suedi, Zvicër, Maqedoni, së fundmi ‘Happy’ ka nënshkruar kontratë për eksport edhe në Greqi.