Në Gjykatën e Prishtinës sot, më 18.09.2025, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Shkumbin Kryeziu, i akuzuar për vrasjen në Hajvali më 2021, rast ky i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

I akuzuari Kryeziu akuzohet se së bashku me të miturin A.K. pas disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishin pasur me tashmë të ndjerin V.Xh., me qëllim që ta privojnë nga jeta e godasin me thika dhe si pasojë e plagëve V.Xh. kishte vdekur.


Sot para trupit gjykues ka dhënë dëshmi dëshmitari Petrit Xhemshiti, i cili është babai i të ndjerit V.Xh.

Petrit Xhemshiti tha se ngjarja kishte ndodhur në ora 22:00, më 21.10.2021. Ai tha se i akuzuari Shkumbin Kryeziu ia ka mbytur djalin.

“Ma ka mytë djalin 21-vjeç, n’ma t’mirën moshë” – tha Xhemshiti.

Petrit Xhemshiti tha se para kësaj ngjarjeje nuk kishte pasur njohuri nëse i akuzuari Shkumbin Kryeziu dhe djali i tij kishin pasur ndonjë mosmarrëveshje, ndërsa pas ngjarjes tha që kishte dëgjuar që ka pasur edhe më herët diçka.

Dëshmitari Xhemshiti tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin gjyqësorë më 05.05.2023.

“Qisi mosmarrëveshje, këta veç rrugëve kanë nejtë, janë kanë njerëz të rrugëve, qishtu me fjalë” – tha Xhemshiti.

Pas këtij dëshmitari u dëgjua dëshmitari tjetër, Kujtim Pacolli, i cili tha se të ndjerin V.Xh. e ka pasur djalë të motrës.

Kujtim Pacolli rrëfeu për natën kritike.

“Atë natë isha me të ndjerin në Prishtinë. Pastaj sa kemi nejtur në Prishtinë kemi vazhdu me ardhë për Hajvali, me autobus. Kemi hypë në autobus, kemi vazhdu drejt Hajvalisë, kemi qenë diku afër derës aty që janë disa karrige, më doket te dera e mramtë afër dyerve pjesa e majtë, ndërsa ky i akuzumi ka qenë mbrapa 4-5 karrige, nuk muj me e ditë saktë” – tha dëshmitari Pacolli.

Pacolli tha se Shkumbin Kryeziu kishte qenë ulur mbrapa tyre në autobus.

“Kemi vazhdu, kemi mbërri te ura në Hajvali, kemi kalu rrugën për me shku ma shkurt duhet me i ra oborrit të shkollës. Gjithmonë qaty, se është ma shkurt. Kemi vazhdu na. Në oborr të shkollës te qoshi ka qenë vëllai i të akuzuarit, A.K. Edhe kanë fillu, janë shiku mes vete me të ndjerin, edhe kanë fillu me u sha, i kam dëgju duke u sha mes vete” – tha Pacolli.

I njëjti tha se nuk e dinte se cili kishte filluar i pari të sharat.

Tutje ai rrëfeu para gjykatës se A.K. kishte nxjerrë thikën dhe ishte nisur drejtim të tyre, ndërsa ai i kishte thënë të ndjerit: “Ik se ka thikë!” . Pastaj kishin vazhduar të iknin. Pacolli tha se vetë ishte rrëzuar.

“Pastaj kemi vazhdu direkt me ikë. Unë jam rrëzu jo shumë larg dhe kur jam çu masi kam ra në tokë që e kam çu kryet ky (i drejtohet të akuzuarit) edhe vëllai i tij janë kanë duke i ra me thika të ndjerit”.

“The se e ke pa thikën të A.K., se i ke thanë: Ik!. Po Shkumbini ku ka qenë, çka veproi?” – e pyeti prokurori Arben Hoti.

“Prapa nesh ka qenë, po se ne me një autobus kemi zbritë. Pasi që jam rrëzu më kanë kalu mua edhe janë shku të dytë me thika i kanë mëshu atij” – tha Pacolli.

“2-3 metra, por s’e di sigurt, deri në 5, po nuk jemi kanë shumë larg” – tha tutje Pacolli.

“Sa kanë qenë duke e goditë të ndjerin ai u ka ikë prapë prej dore, kanë vazhdu e kanë ndjekë pak edhe janë kthy prapë te unë dhe ma kanë ba: “Ec se ty ma zi ta bajna” – tha tutje Pacolli.

“A ka qenë në këmbë apo i rrëzuar kur e kanë goditë?” – e pyeti avokati i të akuzuarit, Florent Latifaj.

“Në këmbë ka qenë” – tha Pacolli.

Gjatë dëshmisë së tij Pacolli tregoi se kishte pasur njohuri se i ndjeri V.Xh. kishte pasur problem me Shkumbin Kryeziun edhe vëllanë e tij dhe se të njëjtit i kishin dalë para më armë para kësaj ngjarjeje.

Para trupit gjykues Pacolli tha se çfarë thike kishte pasur Shkumbin Kryeziu nuk kishte mundur ta shihte pasi të njëjtin e kishte parë vetëm duke e goditur me thikë, ndërsa A.K. tha se kishte pasur një thikë kuq e zi dhe se çdo gjë e kishte parë qartë pasi që nuk kishte qenë larg tyre.

Në fund shtoi se qëndron prapa deklarimit të kaluar në shqyrtim gjyqësor të mëparshëm.

Po ashtu paraprakisht në fillim të seancës avokati Latifaj propozoi që aktakuza të konsiderohet e lexuar, ndërsa prokurori Arben Hoti tha se pika 2 e aktakuzës është e nevojshme të lexohet.

“Nashta s’ka nevojë të lexohet aktakuza nga pika 1 pasi s’ka ndryshime por sa i përket pikës 2 duke iu referuar rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, sugjerimet e dhëna në pjesën e arsyetimit në faqën 12, pasuesi 2, edhe faqen 14 të saj, me qëllim të evitimit të shkeljeve të konstatuara konsiderojmë se dispozitivi për pikën 2 duhet të jetë si në vijim: “I pandehuri Shkumbin Kryeziu, më parë e në vazhdimësi e deri me datën 10.12.2022 në Hajvali, Komuna e Prishtinës, me dashje dhe vetëdije e në kundërshtim me nenin 3 pika 1.7 lidhur me nenin 4 pika 1.4.4 të Ligjit për Armën dhe nenit 2, paragrafi 1, pika 1.2.2 të udhëzimit administrativ 14/2010 për armët e ftofta pa autorizimin ka mbajtur në posedim armën e ftoftë – thikë në atë mënyrë që i pari i pandehuri pas veprimeve nga pika e parë e dispozitivit me rastin e ikjes në shtëpi, e kur të njëjtit i shkojnë në kontroll policia ai dorëzon mjetin e tij – thikën me gjatësi 6 centimetra, e cila i sekuestrohet dhe më pas vërtetohet se nuk është ky mjeti me të cilin është kryer vepra nga pika 1” – tha prokurori Hoti.

I akuzuari Shkumbin Kryeziu u deklarua i pafajshëm.

Po ashtu në seancën e sotme janë dhënë edhe fjalët hyrëse, fillimisht nga prokurori i shtetit, Arben Hoti, e pastaj edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu ndërsa i akuzuari i mbështeti fjalët e mbrojtësit të tij.

Seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës për këtë çështje penale u caktua të mbahet më 29.09.2025.

Kjo çështje penale në rigjykim është duke u trajtuar nga trupi gjykues i përbërë nga Ertan Sejfulla (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Fatime Dërmaku edhe Naser Foniqi.

I akuzuari Kryeziu akuzohet se së bashku me një të mitur pas disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishin pasur me tashmë të ndjerin V.Xh., me qëllim që ta privojnë nga jeta e godasin me thika dhe si pasojë e plagëve V.Xh. kishte vdekur.

Gjykata e Prishtinës më 25 korrik 2024 e kishte dënuar të akuzuarin Shkumbin Kryeziu me 20 vjet burgim.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në seancën e kolegjit të mbajtur më 05.12.2024.

Lidhur me këtë çështje penale prokurori i rastit Arben Hoti në fjalën përfundimtare në shqyrtimin e parë gjyqësor kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje në bashkëkryerje.

Prokuroria këtë ricilësim e kishte bërë duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit Gjykata, duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të të miturit (i ngarkuar në procedurën për të mitur si bashkëkryerës i kësaj vepre penale), kishte aprovuar kërkesën dhe kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, me të cilat i mituri si bashkëkryerës ishte gjykuar fillimisht për veprën penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje, mirëpo sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme ishte bërë ricilësimi i kësaj vepre penale në – vrasje.

Në bazë të kësaj Prokuroria kishte konsideruar se, meqë ka të bëjë me të njëjtën vepër penale të kryer në bashkëkryerje, ricilësimi i veprës penale ka karakter detyrues edhe për të pandehurin Shkumbin Kryeziu.

Ndaj të miturit është zhvilluar një procedurë tjetër dhe është dënuar.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së ngritur më 29.12.2022, më 10.12.2021 rreth orës 21:15 në fshatin Hajvali, pasi që ka zbritur nga autobusi i ndjeri V.Xh., bashkë me dëshmitarin Kujtim Pacolli, rrugës për të shkuar në shtëpi i kishin rënë rrugës më të shkurtër, ishte takuar me të miturin në oborrin e shkollës, ku ishin edhe dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, të cilët ishin konfliktuar me fjalë. Në atë moment i mituri e kishte nxjerrë thikën dhe në ato momente kishte arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin e kishin ndjekur tashmë të ndjerin.

Sipas aktakuzës me tanimë të ndjerin duke ikur ishte edhe dëshmitari Kujtim Pacolli, dhe dëshmitari ishte rrëzuar, ndërsa i pandehuri bashkë me të miturin kanë vazhduar ta ndjekin tashmë të ndjerin dhe të dy me dy thika në dorë nga hakmarrja e paskrupullt, për shkak të disa mosmarrëveshjeve më herët që kanë pasur, e godasin me thika në trup V.Xh., i cili për shkak të plagëve të marra në trup ka vdekur në QKUK.

Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu dhe i mituri kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje./Kallxo.com