LAJMI I FUNDIT:

Mosleximi: Si pasqyrohet në fytyrë?

Mosleximi: Si pasqyrohet në fytyrë?

Nga: Lin Yutang  
Përktheu: Aurel Plasari

“Formulën më të mirë për ç’i përket leximit e ka caktuar, për mendimin tim, Huang Shanku, poet dhe mik i Su Tung Po-së: ‘Një lexues që nuk ka lexuar asgjë për tri ditë dallohet ngaqë kuvendimi i tij: nuk ka shije dhe deri edhe fytyra e tij bëhet për të mos u parë në pasqyrë’.


Me këtë ka dashur të thotë që leximi i jep njeriut një hir dhe një shije të veçantë, çfarë në fund të fundit është edhe vetë synimi përfundimtar i leximit.

Vetëm të lexuarit me këtë objektiv mund të quhet art. Nuk duhet lexuar për të përmirësuar kulturën vetjake, sepse kur fillon të mendosh për të përmirësuar kulturën tënde, gjithë kënaqësinë e leximit e ka marrë lumi. Përkundrazi, të lexosh për të zhvilluar njëfarë hiri vetjak dhe njëfarë shijeje në të kuvenduarit është, simbas Huangut, e vetmja metodë e pranueshme leximi.

Afërmendsh që shprehja e hirit vetjak duhet interpretuar si diçka e ndryshme prej bukurisë fizike. Sepse ajo që Huangu ka dashur të thotë me ‘për të mos u parë në pasqyrë’ nuk ka të bëje me bukurinë fizike. Ka fytyra të shëmtuara që të bëjnë për vete kur i vështron, siç ka fytyra të bukura pa pikë shijeje. Më i bukuri i shkrimtarëve perëndimorë mua gjithnjë më është dukur Gilbert Keith Chestertoni. Se ç’dreq grumbullim mustaqesh, qelqesh të syzeve, vetullash mrekullisht të dendura dhe ndërthurjeje rrudhash aty tek vetullat takohen! Ndihet që brenda atij balli duhej të ketë pasur një sasi idesh që vlonin, të gatshme për të shpërthyer në çdo çast prej atyre sysh aq çuditërisht depërtues. Është një nga ato fytyra që Huangu do ta kishte quajtur të bukur; një fytyrë që nuk mbahet në formë prej pudrës e prej të kuqit, por prej fuqisë së mendimit. Mandej, sa për shijen e të kuvenduarit, gjithçka varet nga mënyra e të lexuarit. Nëse lexuesi e shijon atë çfarë lexon, shija do të shfaqet edhe në kuvendimin e tij dhe, nëse kuvendimi i tij ka shije, do të kenë shije edhe shkrimet e tij”. /Lin Yutang, The Impotance of Living, fq. 354-355/

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Fjala+
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Thënie të Anton Chekhovit

Thënie të Anton Chekhovit

Fjala+
Kalo në kategori