Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarin komunal në Gjakovë, i dyshuar për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit K.V., zyrtar për regjistrim të bizneseve në Komunën e Gjakovës.


Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar ka kërkuar dhe marrë ryshfet nga një qytetar E.C që kishte aplikuar për hapjen e biznesit të tij.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 25 gusht, ndërsa arrestimi është bërë më 1 shtator në momentin kur i dyshuari ka pranuar shumën prej 30 euro gjatë një aksioni të organizuar në bazë të masave të veçanta hetimore.

I njëjti dyshohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh që nga data 1 shtator 2025 dhe pritet vendimi i gjykatës për kërkesën e Prokurorisë për caktim paraburgimi. /Telegrafi/