Ish-futbollisti shqiptar, Valdet Rama, ka ndarë me gazetarët pasionin e tij për futbollin, momentet më të bukura të karrierës dhe përvojat që e kanë bërë të veçantë rrugëtimin e tij, përfshirë një përballje të paharrueshme me Lionel Messin.

Rama iu bashkua Real Valladolidit në janar të vitit 2013, dhe gjatë një ndeshjeje në shtëpi kundër Barcelonës, ai dhe Messi u nënshtruan një kontrolli për doping – një rutinë e zakonshme në futbollin profesional ku lojtarët zgjidhen rastësisht.


“Ne fituam ndeshjen 1:0 dhe unë e doja shumë fanellën e Messit. Pas ndeshjes isha i turpshëm, por mbledha guximin dhe ia kërkova. Ai më tha se do ta merrja fanellën në tunel. Por mjeku i ekipit erdhi dhe më tha: ‘Valdet, duhet të shkosh për kontrollin e dopingut’. Në atë moment mendova: ‘Doktor, Messi do të më japë fanellën, nuk mund të shkoj tani’. Fatmirësisht, edhe ai duhej të shkonte për kontrollin, dhe gjatë tre orëve që qëndruam aty, biseduam. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme – mund të ndjesh rrezatimin e tij, është diçka e veçantë. Dhe më dha fanellën e tij, megjithëse ai nuk donte timen”, ka rrëfyer Rama, duke qeshur në intervistën për mediumin gjerman “Sport1”.

Ky moment i veçantë, të qëndrosh për tre orë në një dhomë me yllin argjentinas, mbetet një nga kujtimet më të veçanta në karrierën e Ramës.

Rama kaloi dy sezone në Valladolid, duke përjetuar edhe përballjet me Barcelonën, Real Madridin, Atletico Madridin dhe Sevillan, duke shprehur: “Ishte ëndërr e bërë realitet të luaja kundër këtyre ekipeve. Shijova çdo moment”.

Rruga e Ramës drejt futbollit profesionist nuk ishte e lehtë. Ai u transferua me familjen nga Kosova në Gjermani në vitin 1996 dhe fillimisht kishte vështirësi për t’u ambientuar. Megjithatë, pas regjistrimit në akademinë e Rot-Weiss Essen dhe më pas te Wolfsburg, karriera e tij mori drejtimin profesional.

“Tek Wolfsburg pashë disa pengesa për shkak të lëndimeve, por më pas filloi karriera ime e vërtetë te Ingolstadt, Hannoveri, Suedia dhe Spanja. Të qenit futbollist profesionist gjithmonë ka qenë ëndrra ime, dhe nuk pendohem për asgjë”, ka thënë Rama.

Gjatë karrierës së tij, Rama shënoi gola të bukur, bëri driblime të shpejta dhe dha kontribut të madh për Kombëtaren e Shqipërisë, ku luajti 15 ndeshje. /Telegrafi/

telegrafi sport app