Momentet e fundit tragjike të yllit të WWE, Gaspard e hodhi djalin e tij në drejtim të ekipeve të shpëtimit dhe më pas është mbytur në ujë

Ylli i WWE, Shad Gaspard, është mbytur në ujë në brigjet e Venice Beach në Los Angeles të Kalifornisë. Ai dhe djali i tij dhjetëvjeçar, Aryeh, kishin hyrë për të notuar dhe në një moment ishin përfshirë nga një rrymë e fortë uji.
Incidenti ka ndodhur në javën e kaluar, kur ekipet e shpëtimit kishin arritur ta shpëtonin djalin e tij, por 39-vjeçari ishte zhdukur dhe ekipet nuk kishin arritur ta gjenin.
Trupi i pajetë i Gaspard është gjetur disa ditë më pas (të mërkurën), ndërsa një dëshmitar okular e ka rrëfyer momentin tragjik në një prononcim për DailyMail.com.
Ai ka thënë se ylli i WWE e kishte hedhur djalin e tij në drejtim të ekipeve të shpëtimit dhe në këtë mënyrë kishte arritur t’ia shpëtonte jetën.
“Shqetësimi i tij kryesor ishte siguria e djalit. Ai bëri gjithçka për ta mbrojtur djalin e tij. Gjithçka ndodhi në një çast të vetëm”, ka thënë dëshmitari duke shtuar se në këtë mënyrë e kishte afruar djalin dhjetëvjeçar rreth 20-25 metra pranë bregut, ashtu që roja e plazhit kishte arritur ta kapte.
Mirëpo, kur është kthyer për ta kërkuar Gaspard, ai veçme ishte larguar rreth 100 metra larg dhe rryma e ujit e ka tërhequr me vete duke ia bërë të pamundur shpëtimin.
Shad Gaspard ka qenë më së shumti i njohur si anëtar i ekipit Cryme Tyme që e përbënte me kolegun JTG në kuadër të WWE, ku kishte debutuar në vitin 2006. Në vitin 2010 u largua nga WWE për të ndjekur karrierën në aktrim dhe ka luajtur në filmat, si "Think Like a Man Too" dhe "The Last Sharknado: It's About Time”.
Yjet e mëdha të WWE, njëherësh edhe aktorë të njohur, si ‘The Rock’, Dave Bautista e Triple H, kanë shprehur ngushëllime për kolegun e tyre duke e quajtur hero. /Telegrafi/





















































