Me mbi 26 vite përvojë në sektorin e shëndetësisë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bujar Gashi, po garon për Asamblenë Komunale të Prishtinës, me synimin për të sjellë përfaqësim profesional, të ndershëm dhe të përkushtuar në shërbim të qytetarëve.

Gashi, i cili mban numrin 35 në listën e LDK-së për zgjedhjet e 12 tetorit, ka një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në fushën e mjekësisë.


Studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa magjistraturën në menaxhment shëndetësor në Kolegjin Iliria.

Ai ka ushtruar detyra të rëndësishme, duke filluar nga infermier, mjek, specialist i mjekësisë familjare, deri tek funksione udhëheqëse si drejtor i Qendrës së Mjekësisë Urgjente, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, dhe drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Gjatë mandatit të tij, Bujar Gashi është angazhuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në kryeqytet.

“Studimet universitare i kam kryer në fakultetin e mjekësisë. Ato të magjistraturës në menaxhment shëndetësorë në Kolegjin Iliria. Mbi 26 vite përvojë pune nga infermierë, mjek, specialist i mjekësisë familjare, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Urgjente. Pastaj drejtor në drejtorin e Shëndetësisë në Komunë të Prishtinës, dhe së fundmi drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare", ka thënë Gashi.

Ndër arritjet kryesore ai përmend:

Shkurtimin e kohës së reagimit të ekipeve të urgjencës nga 14.5 minuta në më pak se 6 minuta.

Zbatimin e programit për trajtimin e infarktit akut të miokardit brenda 120 minutave.

Organizimin e testimeve serologjike dhe distribuimin e vaksinave anti-COVID-19 gjatë pandemisë.

Rritjen e shërbimeve shtëpiake, me theks të veçantë në kujdesin paleativ.

Fillimin e programit për kujdesin ndaj grave shtatzëna dhe fëmijëve 0-3 vjeç.

Dhjetëfishimin dhe zgjerimin e analizave laboratorike në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Decentralizimin e shërbimit të vaksinimit për të qenë më afër qytetarëve. /Telegrafi/