Mjegull e dendur në mëngjes, rrezik në komunikacion në disa komuna - policia apelon për kujdes

Si pasojë e kushteve atmosferike të parashikuara për ditët në vijim, të karakterizuara me mot të vranët, intervale me diell dhe mjegull në orët e mëngjesit, në rajonin e Ferizajt është vërejtur prezencë e shtuar e mjegullës, e cila po vështirëson dukshmërinë në komunikacion.
Mjegulla është më e theksuar në zonat me pozitë më të ulët gjeografike dhe në afërsi të lumenjve, duke përfshirë komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit.
Policia këshillon shoferët që: të ndezin dritat e shkurtra dhe dritat e mjegullës; të mos përdorin dritat me rreze të gjata; të ngadalësojnë dhe ta mbajnë shpejtësinë nën kontroll; të qëndrojnë në krahun e djathtë të rrugës; të rrisin vëmendjen ndaj ndryshimeve të papritura të dukshmërisë.
Policia paralajmëron se mjegulla mund të krijojë iluzione optike, duke rritur rrezikun e aksidenteve, sidomos në orët e hershme të mëngjesit. Për këtë arsye, kërkohet respektim maksimal i rregullave të trafikut.
Autoritetet theksojnë se siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët dhe apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve duke vozitur me kujdes.
Ndryshe meteorologët kanë njoftuar se mëngjeset do të shoqërohen me dukshmëri të reduktuar, ndërsa gjatë ditës priten përmirësime graduale të motit.
“Në orët e mëngjesit parashihen mjegulla, të cilat do të zvogëlojnë dukshmërinë horizontale, veçanërisht në zonat e ulëta dhe pranë sipërfaqeve ujore”, ka njoftuar IHMK. /Telegrafi/








































