LAJMI I FUNDIT:

Miranda Hashani dhe 30 vitet e saj në skenë

Miranda Hashani dhe 30 vitet e saj në skenë

Miranda Hashani është zëri i ëmbël, i cili i ka shoqëruar me vite shqiptarët me këngët e saj të lehta, të cilat kanë ditur të mbesin gjatë në memorien e fansave. Me një zë të butë, stil unik stil dhe brishtësinë që e karakterizon, Miranda shënon plot 30 vite në karrierën e saj të suksesshme.

Këtë ditë speciale, këngëtarja vendosi ta festojë në një mbrëmje madhështore ku miqtë, kolegët dhe familjarët nuk munguan. Madje me këtë rast ajo publikoi edhe projektin e saj më të ri, këngën dhe klipin “E jotja”, si vazhdimësi e dekadës së katërt e cila po plakë në skenë.


Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Miranda rrëfen se si kanë qenë gjithë këto vite në karrierën e saj? Si e festoi mbrëmjen me miqtë dhe familjarët, dhe çfarë planesh ka për të ardhmen?

Miranda, festuat 30 vite karrierë në një mbrëmje muzikore me rrethin tënd shoqëror dhe familjar. Na trego si ishte kjo mbrëmje për ty?

Po, kam realizuar koncertin tim jubilar ”30 vjet këngë me ju” në prezencën e shumë mysafirëve, të ftuarve dhe medieve. E kam realizuar në Shkup, në “RTV 21 Maqedoni”, ata kanë qenë edhe sponsorë medialë. Një falënderim i veçantë sepse gjithmonë i kanë hapur dyert për mua, sa herë që iu kam kërkuar mbështetje. Gjithë organizimi ka qenë i udhëhequr nga producentja dhe menaxherja ime Laura Zhuta, e cila në asnjë moment nuk e ka kursyer vetën për tre muaj. Ka bërë një punë të mahnitshme dhe falë saj mund të them që ky koncert doli në dritë. Udhëheqës artistik ka qenë Edon Ramadani. Orkestra e muzikës lehtë ka qenë kombinim orkestrant nga Prishtina, Tetova dhe Struga ndërsa orkestra popullore ka qenë nga Shkupi. Mysafirët specialë që erdhën e me nderuan shume ishin: Shkurte Fejza, Selami Kolonja dhe Vjollca Luka. Për veshjen time dhe të pjesëmarrësve u kujdes Linda Meta-Tafa, ndërsa për stylingun “Studio Sebi”. Patjetër që dua t’i përmend edhe sponsorët: DoniFruts, Global Impact, Gentlishoes, Smaragd, sepse pa ta nuk do të realizohej ky projekt i madh.

Pamje nga koncerti jubilar “30 vjet me ju” i këngëtares Miranda Hashani.

Plot 30 vite në skenë, si kanë qenë për ty?

30 vite sa të lehta, aq edhe të vështira. Plot punë, sakrificë, netë pa gjumë, rrugë, skena gjithandej nëpër botë ku ka shqiptarë. Kënaqësi pa fund kur kthehem dhe shikoj prapa meje, e lumtur që për kaq kohe kam fituar zemrat e shumë njerëzve. Pa publikun, adhuruesit e mi, unë nuk do të vleja asgjë. Nuk do të isha kjo që jam. Kudo që jam shfaqur kanë ditur të më japin kënaqësi pafund, njëherit dashuri, respekt që është shumë e rëndësishme për një artist për të jetuar kaq gjatë në skenë. Ju përkulem!

Momenti më i suksesshëm për ju gjatë këtyre 30 viteve në karrierë?

Kam pasur shumë nga ato momente. Kujtoj shumë vërtetë, do të veçoja ndoshta Festivalin e 50-të të këngës në RTSH. Për herë të parë ju ngjita asaj skene, ku para meje kishin shkelur emrat më të mëdhenj të artistëve shqiptarë. Jam ndjerë e mrekulluar pafundësisht. Të tjera suksese janë çmimet në shumë festivale në Kosove dhe Maqedoni.

Pamje nga koncerti “30 vite me ju” nga Miranda Hashani.

Po familja? Ka qenë një mbështetje e madhe për ju gjatë gjithë kësaj kohe?

Pa mbështetjen e familjes, vështirë që do të mund të arrija këtu ku jam. U jam shumë mirënjohëse që kanë pasur durimin, sidomos babi dhe nëna ime. Të ecësh në karrierë vet dhe femër ka qenë shumë e vështirë. Në kohën e viteve te 90-a në Shqipëri, situata tranzicioni, pastaj në Kosove e Maqedoni lufta dhe trazirat iu kanë kushtuar shumë atyre, duke më pritur, ku jam dhe sa do vonohem, a jam mirë dhe a ka kaluar çdo gjë mirë etj. Mund të them lirisht që pjesë e shumë sukseseve të mija janë padyshim edhe ata. Më vonë kur jam lidhur me Mentorin, kam qenë me fat që Zoti më ka takuar me një njeri me vyrtyte kaq të larta. Gjithmonë më ka mbështetur dhe shoqëruar kur ka pasur kohë e mundësi. Për mirëkuptim nuk dua të diskutoj. S’do mend se edhe pa mbështetjen e tij nuk do të funksionoja. Sot jam një bashkëshorte dhe nënë e dy djemve: Donit dhe Detit. Nuk janë pengesë në punën time. Jam e lumtur që kam një familje të mrekullueshme. Jam e bekuar.

Keni publikuar së fundmi edhe projektin tuaj më të ri, këngën dhe klipin “E jotja”. Na flisni pak më shumë rreth punës për këtë këngë?

“E jotja” është balada ime më e re. Tekstin e ka bërë Ilir Berani, ndërsa muzikën dhe orkestrimin Wirusi. Është realizuar nga produksioni “EmraCom”, ndërsa klipi është punuar në Shkup me shtëpinë filmike “Fabrika”. Një falënderim të veçantë ua dedikoj të gjithëve, veçanërisht edhe sponsorëve që më përkrahën për këtë projekt.

Po klipi? Nuk shfaqeni shumë ndryshe nga herët e tjera?

Është e vërtetë, nuk ka ndryshim shumë të madh sepse nuk dua të dal nga vetja. Klipi është realizuar në një nga restorantet më të bukura në Shkup. Përderisa edhe kënga është pak melankolike atëherë kombinimi me dru dhe tjegulla ishte i duhuri, pasi gjithmonë të jep ndjenjën e ngrohtësisë.

Pamje nga klipi i ri “E jotja” nga Miranda Hashani.

Çfarë u premton fansave për vitet e ardhshme të karrierës?

U premtoj do u sjell gjithmonë vetëm projekte të bukura.

Porosia jote për fund?

Ju qoftë çdo ditë e bukur në jetë…./Telegrafi/

Në trend

Më shumë
I pandalshëm Edon Zhegrova, e lë në ‘gjumë’ portierin e Lyonit me një super gol

I pandalshëm Edon Zhegrova, e lë në ‘gjumë’ portierin e Lyonit me një super gol

Ligue 1

"Dhëmbët, flokët e veshët" - Gani Gërmia me ndryshime drastike në pamje

Magazina
Blero flet për takimin me Afronën: Kur e pashë atë duke qarë, më doli loti - edhe burrat qajnë

Blero flet për takimin me Afronën: Kur e pashë atë duke qarë, më doli loti - edhe burrat qajnë

Magazina
Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Kronika e Zezë
Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Serbia, vitin e kaluar ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore

Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Serbia, vitin e kaluar ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore

Lajme
Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Lajme
Kalo në kategori