Ashtu edhe siç ishte premtuar, këngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha gëzon tashmë nga Ministria e Kulturës statusin e meritave të veçanta.

Vendimi i marrë në Qeverinë e Kosovës më datë 2 tetor 2018, e shpërblen këngëtaren e emëruar si "Bilbili i Kosovës", për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.


Si rrjedhojë, asaj i është ndarë një shumë mujore nga Ministria e Kulturës, vlerë e cila është 500 euro.

Për t'ia dhënë këtë lajm, në banesën e saj në lagjen Ulpiana, sot (e premte) i bërio vizitë Ministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës Kujtim Gashi.

kujtim2 1

Përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook, Ministri Gashi bëri të ditur se është takuar sot me të madhen Nexhmije Pagarusha, teksa dha edhe lajmin se tashmë asaj i është ndarë një buxhet mujor nga shteti i Kosovës.

"Shumë i lumtur që Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, nga ky muaj filloi të përfitoi shumën prej 500 euro në baza mujore nga Ministria e Kulturës.

Sot vizitova këngëtarën në banesën e saj, të cilës ia dorëzova Vendimin e Qeverisë për statusin e qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. Bilbili i këngës shqipe Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare", ka shkruar Kujtim Gashi në Facebook.

Nga fotografitë e publikuara, shihet se prezente në këtë vizitë ka qenë edhe këngëtarja e njohur, Violeta Kukaj-Retkoceri, me të cilën Pagarusha publikoi një duet këtë vit me titull "Mbushni gotat". /Telegrafi/

kujtim1