Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes së gazetarëve lidhur me uljen e çmimit të derivateve të naftës dhe mënyrën se si do të realizohet e njëjta, deklaroi se sot pret që të ulet çmimi i karburantëve për 2.5 denarë për litër.

“Pikërisht ashtu, faleminderit. Gjatë ditëve të fundit kemi punuar së bashku me Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale me furnizuesin më të madh, do të thosha, që është OKTA. Lajmi i mirë për qytetarët është se OKTA, nga sot, për kompanitë që bashkëpunojnë me të, do të japë një zbritje prej rreth 45 deri në 50 dollarë për ton. Kjo do të thotë ulje prej rreth 2,5 denarë për litër".


"Më pas bisedova edhe me një pjesë të madhe të pronarëve të pompave të derivateve të naftës, të cilët thanë se këtë ulje do ta përcjellin te konsumatorët e fundit. Duke qenë se Rregullatori përcakton çmimin maksimal, pres që pasi kjo të bëhet publike, tashmë gjatë ditës, nafta dhe derivatet e saj të ulen për rreth 2,5 denarë për litër".

"Çfarë do të thotë kjo në mjete, do të thotë që, për shembull, një litër naftë tek ne do të kushtojë rreth 1 euro e 35 centë. Në vendet fqinje, për shembull në Serbi, çmimi tashmë është mbi 1 euro e 80 centë, në Shqipëri është rreth 1 euro e 80 centë, në Kosovë është mbi 1 euro e 50, 1 euro e 60 centë. Në Evropë çmimi është tashmë mbi 2 euro, ndërsa në disa vende të Bashkimit Evropian dizeli arrin rreth 2,2 euro. Kështu që, atë që e kemi thënë edhe e bëjmë. Që qytetarët e Maqedonisë të kenë naftën dhe derivatet e naftës më të lira edhe pse jemi vetëm disa qindra kilometra larg zonave me luftëra të ashpra. Por me organizim të mirë dhe me dialog konstruktiv po arrijmë t’i tejkalojmë këto sfida", tha Mickoski.