LAJMI I FUNDIT:

Metaforat fatkeqe të politikës

Metaforat fatkeqe të politikës

Kur politika shprehet me metafora, atëherë dalin në pah konceptet dhe mentalitetet që e frymëzojnë politikën. Në historinë tonë politike të njëqind vjetëve të fundit ka tre metafora fatkeqe që tregojnë se nga vuan politika te ne.

E para, është krahasimi i politikës me trupin e njeriut. Ose ndryshe, antropomorfizimi i politikës. Sistemi politik si një trup njeriu, individi si pjesë e trupit të njeriut.


Pra, koka – udhëheqja, zemra – ideologjia, aleatët – krahët, kurse qytetarët këmbët. Nuk thonë kot “jemi bërë si këmbët e dhisë”. Kjo metaforë është vertikale dhe nuk lejon askënd të dali nga kontrolli i kokës. Është një metaforë diktatoriale dhe kolektiviste. Nuk shfaqen dot mundësi për të drejta individuale.

E dyta është ajo e familjes, e klani, krahasimi i sistemit politik me familjen. Ndryshe mund të quhet antropologjizimi i politikës. Edhe ky është një zëvendësim i politikës me organiken, me biologjiken, me lidhjet e gjakut. Qytetarët quhen bijtë, vëllezër dhe motra, të cilët nuk kanë individualitet, janë me të njëjtën ADN.

Kurse baba është donatori, ai që ka superioritet mbi të tjerët dhe kurrë nuk zbret nga froni sepse në familje baba nuk bëhet bir, dhe biri nuk bëhet babë. Kush ngrihet kundër babës quhet plëngprishës dhe ngelet edhe me gisht në gojë.

Prandaj, o çuna qytetarë, rrini urtë, mbroni nderin e familjes, mos u përçani në parti të ndryshme dhe mbi të gjitha mos guxoni të kapni vendin e babës! Nuk ka dyshim se edhe kjo metaforë është diktatoriale dhe në traditën antidemokratike.

Metafora e tretë është ajo e skuadrës, pra që e krahason sistemin politik me një ekip basketbolli, ose futboll etj. Kjo është sportifikimi i politikës, por njësoj diktatoriale si metaforë sikurse edhe dy të tjerat. Rregullat e lojës janë të përcaktuara dhe askush nuk luan dot ndryshe.

Ka një trajner që në çast e nxjerr lojtarin nga loja dhe i thotë ik vishu dhe shko në shtëpi. Brenda skuadrës sundon kapiteni i cili caktohet nga trajneri dhe nuk zgjidhet nga shokët e skuadrës. Në një skuadër futbolli p.sh. edhe rolet janë të përcaktuara. Lojtarët i binden trajnerit, golat i bën ai që cakton trajneri, tjetri qëndron në portë si portier. Të tjerë janë të detyruar të presin në stol si rezerva dhe nuk hyjnë në lojë sepse bërtasin tifozat.

As pyet trajneri fare andej. I gjithë ekipi luan me një strategji të paracaktuar jo nga lojtarët. Kush lojtar nuk pranon planin strategjik të trajnerit hiqet. Ndërkohë as bëhet fjalë që disa lojtarë të ekipit të luajnë në bazë të një plani alternativ sepse menjëherë përjashtohen.

Fitorja është ose e të gjithëve ose e asnjërit. Me një fjalë brenda një skuadre nuk ka individualitet veçse nën vëzhgimin e trajnerit, nuk ka alternativa, por unitet të çeliktë në emër të fitores. Skuadra është një tjetër metaforë diktatoriale e politikës. Ja mendësitë deri tani. Ne nuk i njohim sportet individualiste si pingpongu, tenis, boksi, shahu.