Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë është mbajtur sot një takim pune ndërmjet menaxhmentit, shefave të reparteve dhe kryeinfermierëve, me fokus në koordinimin e brendshëm, shkëmbimin e informatave dhe adresimin e sfidave të përbashkëta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Në këtë takim, ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv, Dr. Fahri Hasani, prezantoi planin e tij të punës, duke shpalosur objektivat për avancimin e mëtejmë të cilësisë së shërbimeve ndaj pacientëve.


Po ashtu, drejtori Hasani dëgjoi opinionet, vërejtjet dhe kërkesat e shefave të reparteve dhe kryeinfermierëve, me qëllim që vendimmarrja të bazohet në nevojat konkrete të reparteve dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Gjatë takimit u diskutuan edhe aspekte praktike të funksionimit ditor, përfshirë përmirësimin e komunikimit ndërmjet niveleve të personelit dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin e rasteve.

Menaxhmenti theksoi se bashkëpunimi i brendshëm mbetet një ndër prioritetet kryesore për të siguruar një sistem shëndetësor më funksional dhe më të përkushtuar ndaj pacientëve./Telegrafi/