0Shares

Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës, në përbërje të Guvernatorit, Fehmi Mehmeti, kryetarit të Bordit, Flamur Mrasori, zëvendësguvernatorit, Sokol Havolli dhe shefi i kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari po vazhdon të marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që po mbahen në Bali të Indonezisë.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti është takuar me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, TaoZhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Në vazhdim të vizitës në Bali, Mehmeti ka zhvilluar takim edhe me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen, të cilin e informoi lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë dhe e falënderoi atë për përkrahjen dhe aprovimin e kërkesës së BQK-së për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).

Në takimin pasues me zëvendësdrejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, James Morsink, Mehmeti shprehu falënderimin për aprovimin e kërkesës për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim në ofrimin e informatave me qëllim të përfundimit të suksesshëm të këtij rishikimi dhe zbatimin e rekomandimeve që eventualisht do të dalin nga ky rishikim.

Gjatë kësaj vizite është nënshkruar edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Bankës Qendrore të Kosovës, përfaqësuar nga Guvernatori Mehmeti dhe Bankës Qendrore të Turqisë, përfaqësuar nga Guvernatori Çetinkaya, që ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve mes dy institucioneve.

Gjithashtu, në vazhdën e këtyre takimeve, Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtoreshën Ekzekutive në largim të Konstituencës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Michaela Erbenova, të cilën e falënderoi për përkrahjen e saj të vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së dhe institucioneve shtetërore të Kosovës, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe njëkohësisht i uroi fat dhe suksese në angazhimet e saj në të ardhmen.

Në takimet e zhvilluara, pjesëmarrës në takime ishin edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)