Më të votuarit nga LDK dhe PDK për Kuvendin Komunal të Prishtinës

Tashmë është finalizuar numërimi i votave edhe me postë në Komunën e Prishtinës për Zgjedhjet Lokale 2025, duke zyrtarizuar se do të ketë balotazh.
Kandidati i Lidhjes Demokartike të Kosovës, Përparim Rama ka dalë i pari me 33.71 për qind apo 35,465 vota, ndërsa i dyti është renditur Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje me 33.22 për qind apo 34,951 vota.
Kështu, Prishtina do të shkojë në balotazh që zhvillohet më 9 nëntor, ndërsa Rama dhe Çeku kanë filluar të rimobilizohen për raundin e dytë.
Por, fokusi aktualisht është edhe tek ata që kanë arritur të fitojnë një ulëse në kuvendin komunal të kryeqytetit, raporton Telegrafi.
Përparim Rama si bartës i listës ka marrë plotë 28,969 vota, derisa pas tij renditen Bujar Gashi, Bekim Gashi, Milazim Vitija, Fadil Aliu, Egzon Pacolli, Sokol Havolli, Dasmor Durmishi, Etnik Mustafa dhe Shefqet Osmani në Top 10-she.
Por, kjo renditje nuk do të jetë kështu për kuvendin komunal, pasi në bazë të ligjit për zgjedhje shkojnë dy burra, një grua, ndërsa LDK-ja pritet që t’i ketë 15 ulëse.
Kur jemi tek Top 10-të më të votuar, do të shikojmë edhe tek PDK-ja, që nuk ka arritur të hyjë në balotazh, pasi u rendit e treta me kandidatin për kryetar, Uran Ismailin.
Ismaili si bartës i listës ka marrë 22,317 vota, ndërsa pas tij renditen Agron Canolli, Leutrim Retkoceri, Ilirik Musliu, Besianë Musmurati, Yll Muriti, Granit Geci, Plator Gërdovci, Florian Beka dhe Trim Syla.



















































