Me fitore, tifozët e Rahovecit kërkojnë drejtësi për Elvis Pistën (Foto/Video)

Atmosfera ishte sa spektakolare, aq edhe e zymtë. Kjo për shkak se u përkujtua presidenti i klubit, i vrarë një javë pas zgjedhjeve, Elvis Pista. Ishte pikërisht Elvis Pista ai që inspiroi ringritjen e klubit dhe kthimin në Ligën e Parë, me amanetin për të hyrë në Superligë.
Telegrafi.com ishte i pranishëm në stadium dhe mund të thuhte se dhe pse jo i gjallë, Elvis Pista ende jeton në mesin e tifozëve e madje edhe të futbollistëve të klubit. Një koreografi gjigante e prezantuar në stadium nga tifozët ultras “Vreshtarët” dhe me këngë në kor të veçantë të krijuar për ish-kandidatin për deputet nga PDK dhe presidentin e klubit, vetëm sa motivuan para fillimit lojtarët vendas.
“Kërkojmë drejtësi”, “Drejtësi për Elvis Pistën, heroin tonë”, ishin disa prej pankartave që mbajtën tifozët Vreshtarët në stadiumin Selajdin Mullabazi – Mici, e të cilëve iu bashkëngjitën edhe rreth 1500 shikues të tjerë, transmeton Telegrafi/
Pas një minute heshtje në nderë të Pistës, ndeshja filloi me intensitet të lartë, e dominim të vendasve, që kaluan në epërsi pas 36 minutash lojë, me anë të golit të Agim Hotit.
Në pjesën e dytë ishte Lepenci që barazoi, (71')e që nxiti edhe një ofanzivë të madhe të Vreshtarëve, që arritën pas një aksioni briliant në minutën e 80-të të shënojnë nga penaltia për golin e fitores.
Realizator në mënyrë të qetë u tregua Gëzim Mullaavda, që realizoi për 2-1 dhe rezultatin përfundimtar.
Janë këto tri pikët e para për K.F. Rahovecin, që pavarësisht vështirësive financiare e kushteve tjera jo të mira, po përpiqet që të kthehet në elitën e futbollit kosovar, për të çuar kështu në vend amanetin e presidentit që për tifozët është historik, Elvis Pista.











































