Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, u bëri thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit, duke paralajmëruar se mbulimi i ulët i vaksinimit krijon rrezik për epidemi edhe në Maqedoni.

Sipas të dhënave që ai njoftoi, mbulimi me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit është vetëm 62 përqind.


"U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që t’i qasen vaksinimit kundër fruthit më me kujdes, sepse mbulimi është relativisht i ulët dhe është 62 përqind. E them këtë sepse numri i rasteve të fruthit aktualisht po rritet në Kosovë dhe Bullgari. Kemi arsye të fillojmë të ngremë alarmin dhe në ditët dhe javët në vijim, përmes më shumë aktiviteteve, do të përpiqemi t’i motivojmë qytetarët të vaksinojnë fëmijët e tyre dhe të rrisin mbulimin, sepse një epidemi e fruthit është e mundur edhe në Maqedoni", deklaroi Klekovski.

Dragan Koçinski, kreu i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu thekson se problemi nuk vlen vetëm për vaksinën kundër fruthit. Ai thotë se mbulimi është ulur edhe me vaksinat e tjera nga kalendari i rregullt i imunizimit.

Sipas tij, asnjë nga vaksinat nga kalendari i rregullt, kur bëhet fjalë për dozën e parë, nuk ka arritur mbulimin e dëshiruar prej 95 përqind.

"Për hepatitin B, kemi mbulim prej 77 përqind, për Haemophilus influenza 78 përqind, dhe për difterinë, tetanosin dhe pertussis 79 përqind, megjithëse në vitin 2024 patëm një epidemi. Mbulimi me vaksinën e poliomelitit është 79 përqind, ndërsa për fruthin është vetëm 62 përqind", tha Koçinski.

Mbulimi me vaksinën HPV gjithashtu mbetet i ulët, në 51 përqind. Ndër vaksinat më të reja, mbulimi me vaksinën e rotavirusit është 64 përqind, dhe me vaksinën pneumokoksike është 80 përqind.