Mbrojtësi qendror Egzon Bejtullai është rikthyer në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, falë formës së shkëlqyer që po tregon me Dritën.

Qendërmbrojtësi është një nga më të mirët në futbollin kosovar në vitet e fundit, ndërsa këtë sezon ka zhvilluar plot 39 ndeshje në të gjitha garat – kampionatin kosovar, Kupën dhe garat evropiane me fanellën e Dritës.


32-vjeçari rikthehet pas tre vitesh në Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut dhe do të jetë i gatshëm ta ndihmojë këtë përfaqësuese në sfidën e play-offit për Kampionatin Botëror ndaj Denmarkës.

Për Bejtullain ky është një rikthim në ekipin kombëtar pas tre vitesh, pasi për herë të fundit kishte luajtur në vitin 2023 në ndeshjen ndaj Anglisë.

Deri më tani, qendërmbrojtësi i Dritës ka regjistruar gjithsej 27 paraqitje me Kombëtaren A të Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/

telegrafi sport app