LAJMI I FUNDIT:

Mbi 22 mijë familje në Kosovë përfituese nga skema e ndihmës sociale

Mbi 22 mijë familje në Kosovë përfituese nga skema e ndihmës sociale

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin janar 2023.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit janar 2023 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 22 mijë e 571 familje me gjithsej 89 mijë e 318 anëtarë.

Ndërsa, nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 mijë e 894 familje.


Nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 140 mijë e 71 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 46 mijë e 467 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 767 përfitues, ndërsa nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 mijë e 718 përfitues.

Po ashtu, ASK-ja ka bërë të ditur se nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 mijë e 52 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 mijë e 261 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 mijë e 470 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 mijë e 639 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 mijë e 707 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë 1 mijë e 284 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 704 përfitues; dhe nga skema për pensionet invalidore janë 60 përfitues.

Ndërsa, gjatë muajit janar 2023 nuk është raportuar asnjë rast i fëmijëve të braktisur. /Telegrafi/